Departamenti i Shtetit të SHBA-së e sheh Asociacionin e komunave me shumicë serbe si një gjë kyçe për ndërtimin e të ardhmes së Kosovës si shtet.
Zëdhënësi i DASH-it, Ned Price, në konferencë për media të mërkurën mbrëma, është pyetur se në çfarë kronologjie duhet të implementohen marrëveshjet e Brukselit dhe nëse Asociacioni është i pari në rend.
Price e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm pajtimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me propozimin e BE-së, por ai e ka pranuar se ka shumë punë të vështira para.
“Marrëveshja për aneksin e implementimit është kyç për normalizimin nën propozimin e BE-së dhe progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kyç për ta ndërtuar të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, multietnik dhe të pavarur e të integruar në strukturat euro-atlantike”, tha Price.
Prices ka thënë se nëpërmjet dialogut të ndihmuar nga BE-ja, Kosova e Serbia duhet të arrijnë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve.
“Përparimi do t’i hapë dyert drejt integrimit evropian për të dyja shtetet dhe është esenciale për siguri më të madhe, stabilitet dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara duhet të kenë në qendër njohjen e ndërsjellë eventuale. Është një proces i udhëhequr nga BE-ja. SHBA-ja ka përkrahur aleatët në BE në çdo mënyrë që ka mundur. Ne kemi qenë prezent në këto bisedime. Gabriel Escobar, zëvendëssekretari ynë, ka qenë aktivisht i angazhuar me palët e do të vazhdojmë të bëjmë çfarë të mundemi për ta përkrahur këtë proces që ka ecur para në mënyra të rëndësishme, e para nesh kemi vështirësi”, ka thënë Price.
Price i pyetur për afat kohor se kur duhet të vijë njohja e ndërsjellë, ka thënë se nuk mund të japë një afat kohor, porse është më mirë të normalizohen marrëdhëniet sa më shpejt të jetë e mundur.
“Sigurisht duam këto çështje, këto tensione mes Kosovës e Serbisë të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe ne do të përkrahim, dialogun e mbështetur nga BE-ja. Do të marrim çdo hap që mundemi si partner i Kosovës, i Serbisë dhe BE-së, për të përkrahur përshpejtimin në çdo mënyrë të mundshme për të përmirësuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Natyrisht nuk mund të vendosim afat kohor në këtë. Por, duam të shohim të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Price.
Rundi i radhës i dialogut të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë të ndihmuar nga BE-ja do të zhvillohet më 18 mars në Ohër.