Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO kanë nisur zyrtarisht tërheqjen e trupave të tyre nga Afganistani pas 20 vitesh.Rreth 10,000 ushtarë të NATO-s, përfshirë 2,500 ushtarë amerikanë dhe rreth 1,100 nga Gjermania do të largohen nga ky shtet deri më 11 shtator.
Dita e 1 majit shënon nisjen zyrtare, por pajisjet ushtarake kanë nisur të largohen nga Afganistani disa javë më parë. Disa shtete të NATO-s kanë angazhuar forca shtesë në mënyrë që të garantojnë procesin e tërheqjes.
Ekzistojnë shqetësime se talibanët mund të sulmojnë forcat gjatë procesit të tërheqjes. Një zyrtar i NATO-s ka thënë se çdo sulm i mundshëm do të marrë një përgjigje të fortë.Gjeneralët amerikanë kanë shprehur së fundmi shqetësime se tërheqja mund të rezultojë me rrëzim të Qeverisë afgane apo me luftë të re civile.