Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori disa “goditje” të mëdha nga aleatët kryesorë të Kosovës, pas konferencës për media që organizoi dje, ku ndër të tjera, shprehu mllef të madh kundër BE-së, veçanërisht kundër ndërmjetësuesit të dialogut Kosovë-Serbi.
Kurti, përveç tjerash, akuzoi Lajçakun për skenar të përgatitur më herët në bashkëpunim me Serbinë.
“U ekspozova përballë një skenari të cilin zotëri Lajcak dukej se e kishte dizajnuar kohë më parë. Pasi i propozova presidentit të Serbisë dhe dy përfaqësuesve evropianë një plan të sekuencimit, i cili në fakt është dokumenti i parë që e propozoj në një takim të nivelit të lartë. Presidenti i Serbisë dhe Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe të njëjtën shpërfillje të koordinuar, të dytë thanë se ky plan është shumë jorealist dhe se e vetmja rrugë është zbatimi i pasekuencuar”, tha Kurti në konferencën e djeshme për media.
Mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë – ëndërr apo realitet?
Kurti përveç skenarëve që ai mendon se i janë përgatitur kundër tij, pretendon se Vuçiq dhe Lajçak kanë qenë edhe të koordinuar mes vete.
“E kuptova që ai dokument i Serbisë, ishte shndërruar në qëndrim të lehtësuesit Lajçak. Lajçak dhe Vuçiq duket sikur të kenë qenë të koordinuar me një qëllim të vetëm të bëjnë të pamundur një skenar në të cilin marrëveshja zbatohet në plotni.”, tha Kurti.
E për këto deklarata të tij kanë ardhur reagime nga ShBA, BE, Britania e Gjermania.
Nga ShBA lidhur me këtë ka reaguar Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili ka zhvilluar një bisedë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, mbi nevojën për shtensionim të situatës dhe dialogut me Serbinë, si dhe ka shkruar në platformën X për nevojën urgjente të angazhimit të Kosovës në dialogun me Serbinë.
“Diskutim i mirë me presidenten Vjosa Osmani mbi përkushtimin tonë të përbashkët për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, nevojën për të shtensionuar tensionet dhe për t’u angazhuar urgjentisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për normalizimin e raporteve me Serbinë – çelësi i stabilitetit rajonal dhe i integrimit në BE”, ka shkruar ai.
Ndërsa nga Bashkimi Evropian ka reaguar Peter Stano, i cili është zëdhënës i BE-së. Ai i ka cilësuar si “akuza të pabaza” deklarimet e Kurtit për të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, duke theksuar se Lajçak e ka mbeshtetjet e të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, duke i dhënë kështu një goditje të madhe Kurtit.
Reagim kishte edhe nga Britania e Madhe, ku ambasadori i saj në Kosovë, Nicholas Abbott, reagoi duke thënë se i qëndron pas deklaratës së 27 vendeve të BE-së, ku bëhet thirrje “që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive, të sinqertë dhe pa vonesa të mëtejshme” për sa i përket dialogut.
Veç këtyre, reagim ka pasur edhe nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
“Ju lutemi referojuni deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë Borrell në emër të shteteve anëtare të BE-së që u publikua mëngjesin e sotëm dhe që u mirëprit nga ambasadori gjerman si “një thirrje e qartë kristal e BE-27 ndaj Kosovës dhe Serbisë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive dhe në mirëbesim pa vonesë të mëtejshme!”, ka ajo.
Deklarimi i djeshëm i Kurtit për media, përveç që ngjalli shumë pakënaqësi brenda vendit, nxiti edhe reagime të shumta kundër tij nga aleatët e Kosovës, nga të cilët i mori goditjet e njëpasnjëshme që nga dita e djeshme./Botapress.info/