Përfaqësuesit e partive më të mëdha opozitare në Kosovë, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, e kanë akuzuar atë për “mungesë komunikimi me SHBA-në”, ndërsa analisti amerikan Daniel Server në një intervistë për Kosova Online thotë se Kurti ka idetë e veta për “çfarë ai dëshiron të bëjë”.
Serwer ka thënë se nuk beson se ka mungesë komunikimi mes SHBA-së dhe Kosovës, pas akuzave të partive opozitare në Kosovë ndaj Kurtit se “ka mungesë komunikimi”.
“Nuk jam i sigurt se ka mungesë komunikimi. Kryeministri Kurti ka idetë e veta se çfarë dëshiron të bëjë”, ka thënë Serwer.
I pyetur për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, Serwer ka thënë se nuk mendon se ata mund të arrijnë rrugën e duhur duke i bojkotuar institucionet legjitime.
Serweri ka thënë po ashtu se pret që mund të ketë ngatërresa në veri të Kosovës, mirëpo ka kërkuar nga Prishtina që të mos shkaktojë probleme që nuk mund t’i zgjidhë vetë.
“Parashikoj se do të ketë ngatërresa në veri. Nëse Prishtina dëshiron të zbatojë kërkesat për targa, duhet të mendojë me kujdes se si ta bëjë atë në mënyrë efikase dhe pa shkaktuar probleme serioze që nuk mund t’i zgjidhë vetë”, është shprehur Serwer.