Vuçiqi kishte paralajmëruar në TV Prva vitin e shkuar se e pëlqen furnizimin me aeroplanë të tillë. Po ashtu edhe ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, në një intervistë për RTS-në në dhjetor kishte thënë se pajisja me aeroplanë nga Franca është duke u marrë në konsideratë.
Vuçiqi e presidenti francez Emmanuel Macron kishin biseduar më 7 mars. Sipas njoftimeve zyrtare, dy presidentët diskutuan për luftën në Ukrainë dhe bashkëpunimin ekonomik ndërshtetëror. Gjithsesi, s’kishte pasur njoftime për blerjen e aeroplanëve.
Shteti i Serbisë deri tash ishte furnizuar me aeroplanë MiG-29 nga Rusia dhe Bjellorusia. “Gjithsesi, pasi që jetëgjatësia e tyre e parashikuar është më së voni deri më 2035, Serbia do të duhej të mendonte për pasardhësit e tyre”, ka thënë për “Euronews Serbia”, Petar Vojinoviq, kryeredaktor i portalit “TangoSix”.
Ai ka shtuar se këto blerje janë planifikuar për disa vite.
“Duke iu përshtatur kohës, është e nevojshme të ketë avionë luftarakë shumëfunksionalë”, ka thënë ai.
Pritet që marrëveshja t’i kushtojë Serbisë mbi një miliard euro.
“Kjo do të ishte blerja më e shtrenjtë dhe prokurimi më serioz i armëve për Serbinë në historinë e saj”, ka konkluduar ai.
“Rafalet” janë aeroplanë multifunksionalë që shfrytëzohen si aeroplanë luftarakë, bombardues e të kryejnë aksione në caqe të ndryshme në ajër, tokë apo det.