Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se si parti përshëndesin aksionet e institucioneve të drejtësisë lidhur me dyshimet për keqpërdorime në KEK.
Ai ka thënë se qasja e Qeverisë Kurti me KEK-un ka qenë e papranueshme që nga kapja e kësaj ndërmarrje nga aktivistët e VV-së e deri tek emërimi i Nagip Krasniqit në krye të Bordit.
Tahiri: Do t’i çoj në Prokurori kontratat njëburimore të KEK, vlera e tyre 72 milionë euro
Selmanaj ka thënë se vetëm pas themelimit të Komisionit Hetimor, KEK-u e kishte anuluar konkursin për plotësimin e 150 pozitave të lira.
“LDK në vazhdimësi ka ngritur shqetësimet në këtë korporatë, që nga mënyra se si kjo Qeveri ka menaxhuar krizën energjetike, shtrenjtimin e rrymës dhe punësimin masiv të familjarëve dhe aktivistëve të VV-së.
Pas themelimit të Komisionit Hetimor, KEK kishte anuluar konkursin për plotësimin e 150 pozitave të lira”, ka thënë Selmanaj.
Ai tutje ka shtuar se për Nagip Kransiqin kanë kërkuar hetimet penale edhe për raste të tjera.
“Ne kemi kërkuar hetim penal për Nagip Krasniqin edhe për raste tjera. Vazhdimi i tregtimit të energjisë nga HSE që operonte pa licencë në Kosovë dhe për këtë ishte njoftuar edhe nga ZRRE, këtë e ka konfirmuar edhe vetë Nagip Krasniqi, që kishte deklaruar se edhe përkundër se kishte pranuar email nga ZRRE për mungesën e licencës, ai ka vazhduar operimin dhe bashkëpunimin sepse ai e interpreton ligjin vet dhe nuk i nënshtrohet ZRRE-së.
Nagip Kransiqi ka konfirmuar se KEK ka importuar energji për nevoja të KESK-së me çmime më të larta se në bursat ndërkombëtar. Rreth 50 % më shtrenjtë se çmimi në bursa. Pse ka ndodhur kjo, kjo do përgjigje urgjente.
Duhet hetuar të gjitha kontratat dhe të gjitha proceset e prokurimit në KEK që kanë ndodhur gjatë menaxhimit të KEK nga kjo Qeveri”, është shprehur Selmanaj, raporton Express.
Ai tutje ka thënë se LDK pret dhe shpreson që hetimi të mos ndalet deri tek zbardhja e të vërtetës dhe rolit të Martin Berishajt, ministres së zhvillimit ekonomik dhe kryeministrit Albin Kurti, meqë thotë se LDK është e bindur që Nagip Krasniqi s’ka qenë i vetëm në aktivitetet milionëshe brenda KEK-ut.
“Presim dhe shpresojmë që hetimi të mos ndalet derisa të zbardhet e vërteta, edhe rolin e ambasadorit Martin Berishaj., Ministres së Zhvillimit Ekonomik dhe kryeministrit Kurti në gjithë këtë proces.
Jemi të bindur që z.Krasniqi nuk ka qenë i vetëm në këto aktivitetet shumë milionëshe dhe të paligjshme”, ka thënë Selmanaj.
Ai tutje ka thënë se duhet të zbardhet edhe nëse ka pasur takim në mes të Nagip Krasniqit dhe ambasadorit Martin Berishaj.
“Duhet të konfirmohet nëse ka pasur takim mes Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt në Zagreb. Ai në Komision e ka mohuar kategorikisht këtë takim. Dua ta citoj se cfarë ka thënë. “Kurrë në jetë s’e kam takuar”, por pas pak sekondash ka thënë se “përvec një herë rasishst para dy-tri ditëve dhe aq më pak në Zagreb”.
Por mediat e thonë të kundërtën gjë që është në dorën e prokuroreve ta vërtetojnë këtë”, ka thënë Selmanaj.
Ai tutje ka thënë se është e papranueshme heshtja e kryeparlamentarit Konjufca dhe presidentes Osmani për deklarataëne Kurtit se pa vullnetin e treshes udhëheqëse s’mund të emërohet Kryeprokurori.
“Shkarkimi i bordit të KEK-ut është më e pakta që mund të ndodh. Për ne si LDK janë të papranueshme sulmet e Albin Kurtit, deputetëve dhe komisarëve të VV-së, ndaj Prokurorisë Speciale.
Absurditeti shprehet në rastin kur Kurti thotë se pa vullnetin tim, të presidentes Osmani dhe kryekuvendarit Konjufca, nuk mund të zgjidhet kryeprokurori i vendit. Diskurs i rrezikshëm, i turpshëm.
Për çudi asnjë fjalë as nga kryeparlamentari e as nga presidentja”, ka thënë Selmanaj.