Gara për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës ka filluar të dinamizohet katër ditë para mbajtjes së konventës ku do të zgjidhet kreu i ri.
Tanimë edhe zyrtarisht, Memli Krasniqi ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të partisë më të madhe opozitare në vend.
Në anën tjetër, të shumtë janë zërat në PDK që po kërkojnë të bëhen publike edhe kandidaturat tjera.
Por, a e përkrah Sami Lushtaku, kandidaturën e Krasniqit për kryetar të këtij subjekti?
I kontaktuar nga “Indeksonline”, nënkryetari i PDK-së- ka thënë se e përkrah secilin kandidatë për kryetarë të PDK-së, duke mos zbuluar nëse vota e tij do të jetë për Krasniqin ose jo.
“Vota është e fshehtë, unë e përkrahi secilin kandidat të PDK-së, por tash nuk e dimë se kush do të jetë kandidati i dytë apo i tretë, por megjithatë secili prej tyre janë të respektueshëm”, ka thënë Lushtaku.
Më tutje, ai ka thënë se vendimi për të mbajtur konventën ka qenë i drejtë, sepse nuk ka qenë e lehtë të merren vendime me ushtrues detyre të kryetarit.
Secili në PDK, sipas tij, ka pasur dëshire të legjitimoj me votë kryetarin e ardhshëm të kësaj partie.
“Do të jetë një konventë e mirë dhe mendoj se zgjedhja e kryetarit kujtdo qoftë ka me qenë një festë e vogël për PDK-në”, ka theksuar ai.
Deri më 1 korrik, secili kandidat i interesuar për të marrë drejtimin e kësaj partie duhet ta dorëzoj kandidaturën e tij.
Pas dorëheqjes së Kadri Veselit, PDK ka funksionuar për disa muaj me ushtrues detyre të kryetarit./Indeksonline/