Komuna e Skenderajt, zyrtarisht ka dy kandidatë për kryetar. Sami Lushtaku dhe Bekim Jashari, janë dy ‘rivalët’ e vetëm deri më tani që do të ballafaqohen në këtë garë me 17 tetor, për të parin e Skenderajt.
Sami Lushtaku të hënën e ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryetar të Skenderajt nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ndërsa Bekim Jashari të shtunën, si kandidat i pavarur.
Jashari synon që të fitojë edhe një mandat 4 vjeçar, ndërsa Lushtaku synon që të fitojë për të tretën herë ulësen e të parit të kësaj komune.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2009, Sami Lushtaku kishte fituar mandatin e parë si kryetar i komunës me 25 mijë e 17 vota, apo 85,02% të votave.
Mandatin e dytë, Lushtaku e kishte fituar në vitin 2013 me plotë 17 mijë e 825 vota, apo 88,21%. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Bekim Jasharit i ishte hapur rruga nga partitë e mëdha si PDK, LDK dhe AAK të cilat vendosen që të mos shpallin kandidat për kryetar të Skenderajt, ku edhe më pas fitorja e Jasharit ishte e lehtë.
Ai në këto zgjedhje fitoi me 13 mijë e 982 vota, apo 85,52% të votave.
Deri më tani Lushtaku e Jashari janë kandidat zyrtar për të parin e Skenderajt, partitë e tjera nuk kanë zyrtarizuar ende kandidaturat për këtë komunë. /Botapress/