Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, sipas trendit të numërimit të votave në nivel të Republikës, pritet t’i ketë mbi 30 mijë vota, raporton Mediafokus.info.
Deri tani, sipas burimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nënkryetari i LDK-së ka marrë 22.700 vota, kur kanë mbetur pa u procesuar edhe afro 20 përqind e votave të numëruara.
Marr parasysh edhe votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe ato të diasporës, numri i votave të Hazirit do të rritet tutje.
Sipas Mediafokus.info, po ashtu, Haziri është bindshëm kandidati për deputet më i votuar në Anamoravë.
Kjo është legjislatura e tretë në të cilën kreu i Degës së LDK-së në Gjilan ka marrë numër të lartë të votave.
Nënkryetari i LDK-së ishte deputet në dy legjislatura, 2007-2010, si nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe 2010-2013.