“Kosova është pjesë integrale e Serbisë”, ka qenë përgjigja e Rusisë teksa ka komentuar Marrëveshjen e Ohrit, për të cilën Kosova e Serbia u dakorduan më 18 mars.
“Këshilli i Sigurimit i OKB-së është trupi i vetëm i autorizuar për të konsideruar statusin e autonomisë së një province serbe. Asnjë vendim i ri s’është marrë. Kosova është pjesë integrale e Serbisë. Ne bashkëpunojmë ngushtë me partnerët serbë në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave legjitime të Beogradit në strukturat multilaterale”, ka thënë të enjten zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova për “RTBalkan”.
E pyetur se deri ku është i gatshëm të shkojë Perëndimi për të ushtruar presion ndaj Serbisë në lidhje me Kosovën, duke pasur parasysh se ish-presidenti Boris Tadic kohët e fundit foli për kërcënimet nga Perëndimi ndaj të cilave ishte ekspozuar kryeministri i atëhershëm Zoran Gjingjiq për shkak të Kosovës para vrasjes, Zaharova tha se nuk e dinte se për çfarë është gati Perëndimi?
“Unë as nuk e di se sa larg mund të shkojnë. Nuk e di nëse mund të bëhet më keq se kjo,” tha ajo.
“Duke pasur parasysh se për shumë vite, në pamje të plotë të gjithë botës, ato çuan në përshkallëzimin e konflikteve, provokuan dhe frikësuan njerëzit në qendër të Evropës, arrij në përfundimin se ndjeshmëria, ndërgjegjja dhe morali janë zhdukur në Perëndim. ”, përfundoi zyrtari rus.
Ekziston një tendencë e dukshme në Perëndim për të degraduar gjithçka që më parë llogaritej në diplomaci, tha ajo, duke iu referuar etikës, moralit, ndërgjegjes, përgjegjësisë, së vërtetës.
Zakharova ka përmendur sërish Rezolutën 1244 se “ajo duhet të respektohet” dhe ka kujtuar se “ajo s’e parasheh integrimin e Prishtinës në organizata ndërkombëtare”.
Më 18 mars, Kosova dhe Serbia u dakorduan në Ohër të Maqedonisë së Veriut për aneksin e zbatimit të planit evropian, për të cilin palët u dakorduan në fund të shkurtit në Bruksel.