Kur ekzistonin debate nëpër qarqet intelektuale europiane se a është i drejtë apo jo intervenimi në Jugosllavi si rrjedhojë e luftës në Kosovë, Rushdie s’kishte pasur fare dyshime.
Sipas tij, Miloshevic dhe ushtria e tij ishin gjenocidalë, dhe habitej nga qëndrimi i kolegut të tij, Peter Handke, që mbështeste haptazi Serbinë atëbotë.
Ai fliste për Sarajevën e vjetër e multikulturore të shkatërruar nga lufta, duke thënë se një gjë e tillë i ka ndodhur edhe Kosovës: “Edhe Kosova e vjetër ka ikur, me siguri përgjithmonë. Kosova ideale e zotit Blair është një ëndërr. Ai dhe kolegët e tij tani duhet të mbështesin ndërtimin e entitetit të lirë, etnikisht shqiptar, i cili duket si një pashmangshmëri historike.”
“Ajo që ndodhi me shqiptarët në Kosovë ishte një mizori, efekti i errët i së cilës në shpirt mund të jetë përtej fuqisë së njerëzve të denjë si zoti Blair për t’i uruar sa më larg. Ajo që ndodhi mund të jetë, thjesht, e pafalshme”, kishte thënë më 1999 shkrimtari Rushdie.
Pas publikimit të librit “Vargje Satanike” në vitin 1988, ai u kërcënua publikisht nga udhëheqësi i Iranit në atë kohë, Ayatollah Ruhollah Khomeini, i cili bënte thirrje që Rushdie dhe bashkëpunëtorët që kanë marrë pjesë në botimin e librit të vriteshin./Botapress.info/