Në fotografi duket një plan i ideuar mirë. Megjithatë, në realitet nuk nisi ndërtohej asnjëherë. Kështu mund të përshkruhet shkurtimisht dështimi i shtetit për ta ndëruar mbikalimin për këmbësorë në rrugën që tashmë është kthyer në rrugë të vdekjes, në zonën e Veternikut.
Dje ishte viktima e radhës. Një qytetar u godit për vdekje nga vetura përderisa po e kalonte rrugën përballë “Albi Mall” në Veternik. Vdekjen e tij e konfirmuan edhe institucionet, përderisa dëshmitarë të rastit deklaruan se i ndjeri përderisa ishte duke e kaluar rrugën, u godit nga vetura që ishte në shpejtësi.
“Në këtë aksident, kanë qenë të përfshirë një këmbësor dhe një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori, i cili nuk ka arritur t’i përballojë plagët dhe i njëjti ka vdekur. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
Në nëntorin e vitit 2021 një tjetër këmbësore kishte vdekur në po të njëjtin vend. Disa javë më pas, edhe dy persona të tjerë u lënduan si pasojë e goditjes nga vetura gjersa po e kalonin rrugën po aty. Pra aksidentet janë të shpeshta, e zgjidhje ende nuk është ofruar.
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2023/03/333288056_1414700195971912_4598144174568584625_n-780x439.jpg)
Kjo pavarësisht një memorandumi të mirëkuptimit që ishte nënshkruar kohë më parë nga aso kohe ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku e ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ata kishin publikuar edhe pamje se si do të dukej ky mbikalim, që nuk nisi të ndërtohej kurrë.
“Kemi në shkruar një memorandum bashkëpunimi për i investime në hyrje të Prishtinës. Në ndërtimin e urës mbikalim në hyrje të Prishtinës dhe në gjelbërim si dhe në kyçjes e rrethrrotullimit në Veternik. Këto projekte janë të paraparë për vitet 2020-2021. Kemi biseduar edhe për projekte tjera siç edh të edhe pjesa e hekurudhës. Grupi punues do të filloj punën nëse nuk kemi telashe gjatë këtij vitin do të jetë i përfunduar. Vlera e projekteve është 1 milionë e gjysmë”, deklaronte ministri Abdixhiku pas nënshkrimit të këtij memorandumi.
Për realizimin e këtij projekti kohë më parë ishte hapur edhe një tender. Në njoftimin për kontratë të publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik thuhej se ky ndërtim do të kushtojë mbi 1 milion euro.
![May be an image of 17 people, people standing and road](https://scontent.fprn4-1.fna.fbcdn.net/v/t39.30808-6/331540876_161607273365891_5415393459826739147_n.jpg?_nc_cat=102&ccb=1-7&_nc_sid=8bfeb9&_nc_ohc=zF57wJM9TxoAX9PxrwW&_nc_ht=scontent.fprn4-1.fna&oh=00_AfBzBdgV0Tnv-Lajh72Jn82ksyqT6589h2KL77krTHU9Iw&oe=64117459)
Shuma e planifikuar për këtë kontratë ishte saktësisht 1 milion e 200 mijë euro.
Ndërsa, financuese e këtij projekti dhe dy të tjerëve të nënshkruar mes Ahmetit dhe Abdixhikut, do të ishte Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit me 1 milion e 500 mijë euro.
Lidhur me aksidentet e shumta në këtë vend, kohë më parë qytetarët kishin nisur një peticion për ndërtimin e ndonjë mbikalimi apo gjetjen e një zgjidhje tjetër.
Reagime të shumta
Aksidenti i djeshëm me fatalitet ka nxitur reagime të shumta. Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka kritikuar ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliun, për dështimin në ndërtim të mbikalimeve.
“Për aksidentet e shpeshta në rrugën e Veternikut, ku qytetarët e pësojnë me humbje jete pata ngritur shqetësimin para 6 muajsh me një pyetje parlamentare drejtuar ministrit Liburn Aliu, me kërkesë për ndërtimin e mbikalimeve, që edhe ashtu kanë kosto modeste. Që nga ajo kohë asnjë veprim i marrur nga ministri! Kjo rrugë është kthyer në rrugë të vdekjes për këmbësorët, të cilët në mungesë të mbikalimeve detyrohen të kalojnë në këmbë”, ka shkruar ajo.
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2023/03/131122027_203589064651354_5648247495120678650_n.jpg)
Dëshmitar i aksidentit të djeshëm ishte edhe gazetari Vehbi Kajtazi. Ai ka treguar si ndodhi ngjarja.
“Sot e pash me sy kur nje veture goditi per vdekje nje kembesor. Pamje e tmerrshme. Shteti, duhet te nderhyje duke ndertuar mbikalime dhe duke vendosur pengesa te larta per te mos lejuar keto kalime qe po sjellin viktima te shumeta ne kete pjese. Nese nuk e ben kete, do t’i duhet t’i numeroje viktimat”, ka shkruar Kajtazi.
Mbetet të shihet nëse aksidenti i fundit do të jetë këmbanë për institucionet që planin e hedhur në letër, ta zbatojnë në praktikë dhe të bëhet ndonjë zgjidhje për qytetarët që çdo ditë e frekuentojnë atë rrugë.