Gjendja infrastrukturore në Prishtinë është mjaftë e keqe. Thuajse shumë rrugë të kryeqytetit janë në gjendje të mjerueshme, e askush nuk brengoset për këtë çështje.
Një rrugë mjaftë problematike del të jetë “Ukshin Kovaçica”, rrugë lidhëse kjo e të njohurës “Muharrem Fejza”.
Përpos problemeve tejet të mëdha që shfaqen në rrugën kryesore atë të “Muharrem Fejzës”, banorët të cilët duhet të kalojnë çdo ditë në “Ukshin Kovaçica” vazhdojnë ta kenë të rënduar kalimin për çdo ditë.
Përpos dëmeve në automjete, është thuajse e pamundur që këmbësorët të kalojnë në këtë anë për shkak të ujërave rrjedhëse që kanë shkaktuar dëme edhe më tepër në këtë anë.
Qytetarët nuk kanë hezituar ta quajnë “rruga Nutellë”, për shkak të baltës e cila është krijuar e gropave të shumta për të cilat nuk po kujdeset askush t’i rregullojë.
Problemet në rrugën “Muharrem Fejza” janë ndër vite, e pavarësisht premtimeve për t’u realizuar e gjithë kjo punë ka ngecur vetëm në fjalë nga kompania dhe Komuna e Prishtinës.