Më 31 janar ka përfunduar afati për të paraqitur komentet në Zyrën e Rregullatorit për Energji -ZRRE lidhur më shqyrtimin e jashtëzakonshëm tarifor për energjinë elektrike. Pos komenteve të shumta që kanë drejtuar qytetarët, janë edhe rreth 15 institucione që kanë dërguar komentet e tyre. Bordi i ZRRE-së pritet të dalë me një qëndrim pas disa ditëve lidhur më tarifat e reja. Por, tashmë është bërë e qartë që çmimi i rrymës do të jetë më i lartë.
Kushdo që deri tani ka kursyer rrymë në çdo formë, por edhe ata që nuk kanë kursyer duhet ta bëjnë këtë edhe më shumë tani e tutje pasi kanë hyrë në fuqi tarifat e reja.
Qytetarët janë futur në periudhën ku do të paguajnë faturat më çmim më të lartë. A do t’u llogaritet shtrenjtimi nga data 22 janar, kur është bërë prerja e faturave e fundit, apo nga data 1 shkurt, vetëm kjo nuk është e qartë. Kjo ngase, ZRRE nuk e ka sqaruar, shkruan lajmi.net.
Bordi i ZRRE-së kanë bërë të ditur se njoftimi për bllok-tarifat e reja do të jepet në mbledhjen e bordit, pasi të shqyrtojnë komentet e palëve.
Lajmi.net ka pyetur në këtë institucion se, kur do të jetë mbledhja e radhës e bordit dhe se a ka filluar periudha ku qytetarët po shpenzojnë rrymë përkitazi me vendimin e ri të ZRRE-së, cili do të jetë ai vendim.
Petrit Pepaj nga ZRRE ka thënë se kjo çështje i takon Bordit.
“Siç e dini, agjenda për mbledhje të bordit së bashku me çështjet që trajtohen bëhet publike. Ne do t’ju njoftojmë me kohë për mbledhjen e radhës që do te mbahet nga Bordi”, ka thënë Pepaj për lajmi.net.
Lajmi.net nuk ka mundur të marr një përgjigje nga asnjëri prej anëtarëve të Bordit.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka mbajtur mbledhjen e fundit më datë 31 janar. Në të njëjtën ditë, ishte edhe afati i fundit për dorëzimin e komenteve për çështjen e shtrenjtimit të rrymës, të propozuar përmes një raporti konsultativ që u publikua më 17 janar. Në fund të mbledhjes së ZRRE-së, kryesuesi i Bordit të këtij institucioni, Ymer Fejzullahu ka thënë se në mbledhjen e ardhshme do të vendoset për tarifën për energji elektrike.
Megjithëkëtë, Fejzullahu para pak ditëve ka raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti. Ai ka thënë se vendimi që pritet të merret për shtrenjtimin e energjisë elektrike do të jetë në fuqi nga 1 shkurti deri më 31 mars të vitit 2023.
Partitë politike, Presidenca, disa OJQ e disa institucione publike kanë dërguar komentet e tyre lidhur më propozimin e ZRRE-së për tarifat e reja.
ZRRE ka propozuar dy blloqe për konsumatorët shtëpiak. Blloku i parë, për konsumin deri në 600 kWh, e reflekton energjinë që mund t’i alokohet çdo konsumatori në bazë të nivelit të prodhimit që mund ta ofrojnë kapacitetet vendore. Ky nivel i konsumit mund të ofrohet çmim të përafërt me tarifën ekzistuese. Kur një konsumator konsumon më shumë se 600 kWh, atëherë për të mbuluar konsumin mbi 600 kWh duhet të blihet energji nga importi. Për këtë arsye, çmimi i energjisë mbi 600 kWh duhet të reflektojë çmimin e importit, shkruan lajmi.net.
Ministria e Ekonomisë ka ndarë 75 milionë euro për të zbutur ndikimin e kizës energjetike në tarifat e energjisë elektrike. Subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe, rrjedhimisht, zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike.
Kështu, nëse të hyrat shtesë që duhet të mbulohen nga rritja e tarifave janë 132.7 milionë euro dhe Qeveria do të mbulojë 75 milionë euro, kjo nënkupton që ndryshimi efektiv që duhet të mbulohet nga tarifat e reja është 57.7 milionë euro, shkruan lajmi.net.
Ndikimi i subvencionit të qeverisë ulë presionin për rritjen e tarifës si më poshtë:
Tarifa për konsumatorët biznesorë mbetet me 0% rritje;
Tarifa për konsumatorët shtëpiak mbetet me 0% rritje deri në konsumin prej 600 kWh;
Tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh reduktohet nga 0.21 eur/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 eur/kWh për energjinë e konsumuar jashtë saj në 0.14 eur/kWh për energjinë në tarifë të lartë dhe 0.06 eur/kWh për energjinë jashtë saj.
Subvencioni i dhënë nga Qeveria efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesorë të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë (deri në 600 kWh për muaj).
Ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati, përmes një konference për media, ka treguar për propozimet e tyre si ministri lidhur me shtrenjtimin e rrymës, komente këto që tashmë i ka dërguar tek Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Sipas Muratit, barra duhet t’u shpërndahet edhe bizneseve dhe struktura tarifore duhet të mos nisë me 600kWh, pasi thotë se propozimi aktual i ZRRE-së është shpërndarje e padrejtë e barrës.
Propozimet e Ministrisë së Financave, si komente për ZRRE-në, janë dy: e para është që të ngritet pragu i bllokut të parë në 1 mijë kWH, 500 kWh për Tarifën e Ultë dhe 500 kwh për Tarifën e Lartë.
“Për t’u siguruar se struktura e re tarifore për amvisëritë nuk rezulton në kosto të papërballueshme për shumicën e familjeve, propozojmë që tarifat e bllokut të dytë të fillojnë tek pasi të jenë konsumuar 1,000 kWh, konkretisht 500 kWh me tarifën e lartë dhe 500 kWh me tarifën e lirë”, koment ky që ka qenë propozim i MFPT’së, deklaroi Murati.
Ndërsa, propozimi tjetër ka qenë që barra të shpërndahet edhe tek bizneset, e jo vetëm tek amvisëritë, përcjell Buletini Ekonomik.
“Në këtë frymë, nëse do të aplikohej barra e njëjtë sikurse për amivërsitë, proporcionalisht me tarifat ekzistuese, atëherë do të duhej që me tarifat e reja për bizneset të gjeneroheshine edhe rreth 17 milionë euro shtesë, mbi tarifat aktuale. Tarifat e reja do të duhej të zvogëlojnë dallimet në mes të kategorive të bizneseve, të cila aktualisht janë tejet të mëdha nëse krahasojmë ta zëmë tarifat për 0/4 kWh Kategorinë 1 (bizneset e vogla me 10.71 centë/kWh) dhe Kategorinë 2 (supermarketet me e6.69 centë/ kWh), ku dallimi shkon deri në 60 përqind”, thuhet në letrën e ministrisë drejtuar ZRRE’së.
Sipas kësaj ministrie, në të dyja rastet, subvencionimi i zotuar i Qeverisë prej 75 milionë euro do të mjaftonte për të mbuluar hendekun e mbetur pas përshtatjeve sipas propozimeve që kanë paraqitur.
Ministri Murati tha gjithashtu se propozimet që ata i kanë paraqitur për ZRRE-në, janë konkrete dhe të sakta edhe sa i përket raportit të të hyrave maksimale të lejuara, që siç thotë ai, deri më tani kanë identifikuar diku 21 milionë euro kursime, në të cilat do të mund të zvogëlohej hendeku.
Sipas Muratit, kjo ka të bëjë me supozimin se për shkak të masave që do t’i kenë si Qeveri për kursimin e energjisë elektrike, mund të supozohet që një pjesë e konsumit mund të zvogëlohet. Ky zvogëlim i konsumit të amvisërive mund të ulet për vetëm 5 për qind për muajt: shkurt, mars, prill dhe për muajt nëntor dhe dhjetor, që rezulton me më pak import prej 18 milionë euro, ka vlerësuar tutje ai./Botapress.info/