Pesë emisarët ndërkombëtarë të kryesuar nga ndërmjetësi Mirosllav Lajçak qëndruan të premten në Prishtinë me qëllim të intensifikimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nga Prishtina ata udhëtuan për në Beograd, shkruan Gazeta Sinjali.
I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit në Prishtinë u shpreh, se ai dhe emisarët e tjerë që e shoqëronin kanë pritur mirëkuptim më të madh rreth mundësive që ofron propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Lajçak, së bashku me të ngarkuarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të dërguarit e Francës dhe Gjermanisë, këshilltarët Emmanuel Bonne dhe Jens Plettner, si dhe Francesco Talo, këshilltar i kryeministres së Italisë, zhvilluan takime në Kosovë e Serbi.
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të premten se propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, është rruga më e mirë për të çuar përpara marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve drejt një paqeje të qëndrueshme.
Escobar potencoi se bashkësia ndërkombëtare kërkon që Kosova të përmbushë detyrimin ligjor për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai tha se kjo çështje dhe propozimin franko-gjerman “nuk janë plotësisht të lidhur” me njëra tjetrën.
Escobar tha se fakti që Serbia nuk i ka vënë sanksione Moskës për agresionin e saj në Ukrainë e dëmton imazhin e saj.
Ai ka theksuar se nuk ka afat zyrtar për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por se dëshiron që ky proces të përfundojë sa më shpejt.
“Ne do të donim një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse do ta kishim nesër, do ta pranonim nesër. Nëse duhen dy vjet, atëherë dy vjet. Por ne duhet të lëvizim shpejt, sepse çdo konfrontim që shohim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është gjithnjë e më i rrezikshëm”, – është shprehur Escobar.
Më tej, i dërguari i ShBA-së ka kujtuar se dialogu është nën patronazhin e BE-së dhe se nuk do të flasë në emër të tyre. Megjithatë, ai ka shtuar se e mbështesin procesin, Serbinë dhe Kosovën që të ndërmarrin hapa konkretë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Autoritetet e Prishtinës kohët e fundit janë nën presion që të nisin punën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që sipas SHBA-së dhe BE-së, është obligim i Prishtinës i dalë nga një marrëveshje vitit 2013. Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti refuzon formimin e Asociacionit duke arsyetuar, se ai nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se qeveria nuk mund të krijojë Asociacion njëetnik.
Serbia, në anën tjetër e kushtëzon normalizimin e mëtejshme të raporteve me Kosovën pikërisht me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kryeministri Kurti, megjithatë së fundmi nuk e ka përjashtuar mundësinë që Asociacioni të diskutohet në kuadër të një marrëveshjeje finale për normalizimin e raporteve, por përjashton mundësinë që Asociacioni të jetë njëetnik.