Numri i vrasjeve në Kosovë po shënon vazhdimisht rritje, sidomos rastet kur krimet ndodhin brenda në familje. Vetëm në katërmujorin e katër mujorin e parë të vitit 2023, në Policinë e Kosovës janë raportuar tetë vrasje, katër prej të cilave janë vrasje të rënda. Krahasuar me katërmujorin e parë të vitit 2022, gjatë këtij viti, në statistika, rezulton se në Kosovë janë kryer dy vrasje më shumë sesa në katërmujorin e parë të vitit të kaluar.
Përveç rasteve të vrasjeve në vendin tonë janë shtuar edhe numri i rasteve të vjedhjeve, ku vetëm për katër muaj – janar deri prill 2023 – kanë ndodhur 1,394 vjedhje.
Po ashtu, numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë nuk rezulton se është duke rënë, pasi vetëm në katërmujorin e parë të vitit 2023, sipas statistikave të policisë së Kosovës kanë ndodhur 695 raste të dhunës në familje.
Lexoni më poshtë përmbledhjen e Gazetës Online Reporteri.net të disa nga vrasjet që kanë ndodhur gjatë katërmujorit të parë të këtij viti.
Vrasja e 31 vjeçarit nga Shqipëria në parkingun e “Kobra City” në Prizren
Një rast i rëndë kishte ndodhur në fillim të këtij viti, konkretisht me 3 janar në Prizren, ku Dibran Hoxhaj i njohur ndryshe si “Kobra”, dyshohet se vrau 31-vjeçarin nga Shqipëria, Visar Cengu dhe plagosi një 27 vjeçar në parkingun e lokalit të tij “Kobra City” në Prizren.
Dibran Hoxha me nofkën “Kobra” po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “armëmbajtje pa leje” dhe “manipulimi me prova”, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.
Shkak i konfliktit të nisur brenda lokalit dyshohet se ka qenë fatura prej 400 eurosh që të rinjtë nga Kukësi nuk kishin pranuar ta paguanin.
Vrasja makabre e nënës në Pejë
Në prill të këtij viti, në qytetin e Pejës, kishte ndodhur një akt makabër, ku djali dyshohet se me thikë i ka prerë nënës së tij kokën.
Personi i dyshuar, Urim Hyseni, dyshohet se me thikë kishte vrarë nënën e tij, trupin e kokën ia kishte ndarë në dy vende të ndryshme të shtëpisë.
I dyshuari ishte arrestuar nga organet e rendit ndërsa për shkak të gjendjes së tij psikologjike ai nuk ishte intervistuar atë natë për ngjarjen.
I dyshuari pas kryerjes së aktit ishte konsultuar me ekspertin psikiatrik Nysret Pepaj, i cili kishte deklaruar para gjyqtarit të procedurës paraprake se i dyshuari kishte deklaruar se “ndodhin këto raste, kanë ndodhur edhe më përpara dhe nuk kemi çka të bëjmë tash”.
Me këto veprime të të dyshuarit, eksperti Pepaj kishte konstatuar se ai ka çrregullim psikotik.
I dyshuari gjendet nën masën e paraburgimit e cila i është vazhduar edhe për dy muaj.
Vrasja e xhaxhait në Kijevë të Malishevës
Më 28 prill 2023, në fshatin Kijevë të Malishevës, 38-vjeçari Berat Berisha, kishte privuar nga jeta xhaxhain e tij S.B., në oborrin e shtëpisë së tij, për shkak të një mosmarrëveshje mes tyre. Motivi i vrasjes dyshohet të ketë qenë konflikti pronësor.
I dyshuari gjendet nën masën e paraburgimit, ndërsa prokuroria në lidhje më këtë rast është duke kryer hetimet.
Vrasja e 41 vjeçarit në Fushë Kosovë
Arsim Hamiti 41-vjeçar është privuar me thikë nga jeta me 13 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë Kosovë. Policia kishte marrë informata se i njëjti ishte therur me thikë dhe nga lëndimet e pësuara nuk kishte arritur të përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona të dyshuar, A.M., dhe L.B., të dy nga 26 vjeç.
Për këtë rast Prokuroria është duke kryer hetime.
Vrasja e pazbuluar në Mitrovicë
Më 10 janar 2023, një 65-vjeçar me inicialet N.G. u vra brenda Shoqatës së të Shurdhërve në Mitrovicë, ku ishte anëtar, ndërsa raportohet se ende nuk ka të arrestuar për këtë rast, por se hetimet janë duke vazhduar.
Një ditë pas vrasjes, Prokuroria përmes një njoftimi publik bëri të ditur se ajo ishte e dhunshme dhe se sipas ekspertit mjeko-ligjor që ka dal në vendngjarje, dyshohet se ka ardhur si pasojë e disa goditjeve me një mjet të mprehtë.
“Prokurori kujdestar ka dal në vendin e ngjarjes, dhe ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhej në komunikatën për media.
Vrasja e 48 vjeçarit në magjistralen Ferizaj-Kaçanik
48-vjeçari Nysret Cena, i cili ishte ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u qëllua për vdekje, derisa ndodhej në veturën e tij. Ngjarja kishte ndodhur në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, konkretisht në Kaçanik të Vjetër.
Sipas autoriteteve, në automjetin që po e ngiste është shtënë nga afër me kallashnikov, ndërkaq vetura nga e cila dyshohet të jetë shtënë është gjetur e djegur rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes. Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale.
Vrasja në Dumnicë të Podujevës
Një vrasje tjetër, motivi dhe autori i së cilës ende nuk dihen, kishte ndodhur me 26 mars 2023, në fshatin Dumnicë e Epërme e Podujevës.
Në këtë fshat, rreth orës 18:00, ishte gjetur i vdekur në afërsi të shtëpisë së tij, 58-vjeçari Sali Salihu. Lidhur me këtë rast është duke u marrë Prokuroria Themelore në Prishtinë. Ndërsa të dyshuarit për këtë rast janë dy vëllezërit, 35 vjeçari Besnik Salihu dhe 22-vjeçari Ilaz Salihu, të dy shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët janë arrestuar nga ana e policisë.
Vrasja e rëndë në hotel në lagjen “Arbëria”
Me 18 mars në hotel “Adria”, në lagjen Arbëria, në Prishtinë, të dyshuarit Avni dhe Mustafë Mustafa në bashkëkryerje e kishin privuar nga jeta viktimën nga Podujeva, Rexhep Tahirin. Motivi i kësaj vrasje dyshohet të ketë qenë pazaret e pronave, ku viktima kishte akuzuar dorasin se e ka mashtruar lidhur me prona.
Lidhur me këtë rast nën masën e paraburgimit gjendet i dyshuari Avni Mustafa, ndërsa i dyshuari tjetër Mustafë Mustafa gjendet në liri, pasi gjykata për këtë të fundit ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit./Botapress.info/