Përfundimi i një turniri sportiv në palestrën “Hakif Zejnullahu”, këtë të mërkurë (30.03.2022) ishte moment i keq për një nxënëse të shkollës fillore “Enver Maloku” (emër i njohur për redaksinë )
Me të dalë nga salla e palestrës, ajo sulmohet fizikisht nga katër vajza – për shkak të një keqkuptimi mes tyre. Në goditje ndaj të miturës përfshihet edhe një grua e moshës madhore, e më pas aty përfshihet edhe një burrë – po ashtu i moshës madhore.
Vajzës së mitur i shkaktohen lëndime trupore nga goditjet që i merr nga këta persona.
Gazeta e posedon videon e gjithë ngjarjes, por që ka vendosur mos ta publikojë për shkak të ndjeshmërisë së pamjeve dhe faktit që bëhet fjalë për vajza të mitura.
Të njëjtën video e posedojnë edhe organet e rendit; policia dhe prokuroria.
Në vendngjarje kishin dalur edhe ekipet policore, të cilët kanë dhënë detaje në raportin policor të datës 30 mars 2022.
Aty thuhet se të lënduara kanë mbetur dy vajza – por që në videon që e posedon Llapi.info, shihet qartë që katër vajza godasin një vajzë tjetër.
Sipas raportit policor, të pesë vajzat janë intervistuar nga prokurori kujdestar, në prezencë të prindërve të tyre.
Dëshmitarë okularë në kushte anonimiteti i kanë thënë gazetes se në rrahje është përfshirë edhe një grua e moshës madhore – që besohet se është nëna e njërës nga nxënëset.
Madje, sipas tyre (dëshmitarëve), vajza e moshës madhore (emër i njohur për redaksinë), vazhdimisht bënë probleme duke i ngacmuar nxënësit në oborrin e shkollës fillore “Enver Maloku” – në ndërtesën e ish-gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, e cila është afër palestrës “Hakif Zejnullahu” – aty dhe ku ka ndodhur ngjarja.
Gjithmonë sipas tyre (dëshmitarëve), ajo vazhdimisht konfliktohet edhe me mësimdhënës të shkollës.
Sidoqoftë, rastet e tilla janë të rënda edhe për t’u raportuar, e lëre më për t’i parë apo edhe përjetuar.