Reagon Qeveria: VV e kandidoi Konjufcën në fund në pritje të ndonjë marrëveshjeje me opozitën

Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, i është përgjigjur Partisë Demokratike të Kosovës, pasi kjo e fundit u shpreh se ka qenë e hapur për një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike dhe ka ofruar edhe një marrëveshje të kufizuar vetëm për zgjedhjen e presidentit.

Manxhuka ka thënë se kryeministri Albin Kurti e kishte ftuar kryetarin e PDK-së në takim dhe se Bedri Hamza nuk kishte paraqitur kundërshti për Glauk Konjufcën si personalitet, të cilin VV-ja e propozoi si kandidat.

Ai ka shtuar se Konjufca është kandiduar “krejt në fund” të afatit, në pritje të një marrëveshjeje me opozitën.

Manxhuka ka theksuar se si Lëvizje Vetëvendosje kanë pasur problem me emra të atyre që u bënë presidentë në vitet 2011 dhe 2016, por se atëherë nuk janë zhvilluar takime me ta

“Si LVV në vitet 2011 dhe 2016 kemi pasur problem me emrat e përveçëm të atyre që u bënë presidentë asokohe. Dhe në vend të takimeve me ne, pushteti atëbotë na përndiqte e shtypte me polici. Bedri Hamzën e ftoi KM Kurti dy herë në takim dhe kanë komunikim normal e të mirë. Hamza asnjëherë s’ia ka thënë Kurtit që ka naj problem me Glauk Konjufcën si personalitet, e të cilin LVV e kandidoi krejt n’fund të afatit për president në pritje të ndonjë marrëveshje me opozitën”, ka shkruar në Facebook Manxhuka.

Ndërkohë, Tahiri i PDK-së ka deklaruar më herët se problemi nuk është presidenti, por sipas tij dëshira e VV-së për të kontrolluar çdo institucion.

Të tjera