Mediat raportuan për një shpërthim që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme në Mitrovicën e Veriut. Shpërthimi ka ndodhur pranë stacionit policor në Veri ku për pasojë është dëmtuar një veturë dhe një shtyllë elektrike në të cilën ishte e vendosur kamera e sigurisë.
Konjufca për Asociacionin: Të kthehen serbët në institucione, pastaj kalojmë në hapa tjerë
E ndaj këtij shpërthimi ka reaguar Blerim Vela, shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Vela tha se ky është një tjetër sulm kriminal në Mitrovicën e Veriut.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se këto struktura kriminale po paguhen nga Serbia në mënyrë që të pengojnë sundimin e ligjit në veri.
‘’Një tjetër sulm kriminal në Mitrovicën e Veriut. Strukturat kriminale dhe ilegale të financuara nga Serbia po pengojnë sundimin e ligjit në veri . Ky duket të jetë një reagim ndaj aksionit të institucioneve për heqjen e kamerave ilegale të vëzhgimit të vendosura nga Serbia, i cili do të vazhdojë’’, ka shkruar Vela.
Raportimin e Sinjalit e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.
“Rreth orës 03.00 të mëngjesit në rrugë “Petar Kral” ka ndodh një shpërthim. Një shtyllë elektrike është dëmtuar dhe një veturë. Policia është duke e trajtuar rastin si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Ai pohoi se në shtyllën elektrike kanë qenë të vendosura edhe kamerat e sigurisë.
Ndërsa shtoi se janë duke i zhvilluar hetimet për të zbuluar autorin e kryerjes së veprës.
Ndryshe, pasditen e djeshme, Agjencia për Informim dhe Privatësi, bashkë me Prokurorinë e Ferizajt kanë larguar kamerat ilegale të cilat regjistronin lëvizjet e qytetarëve në komunat në Veri.
Deri tani, janë larguar18 kamera ilegale që kishin funksionuar deri tash në Shtërpcë.
Prokuroria Themelore e Ferizajt ka thënë se “Lidhur me këtë aksion, persona të arrestuar për momentin ende nuk ka. Prokuroria Themelore në Ferizaj, do t’iu mbaj të informuar me kohë për të gjitha zhvillimet e tjera rreth këtij aksioni”.
Me materialet që janë incizuar nga këto kamera, momentalisht po merret Agjencia për Informim dhe Privatësi.