Ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Ekrem Hyseni, ka reaguar pas zgjedhjes së këshilltarit të PDK-së, Hilmi Hoxha, si kryetar i Kuvendit.
Hyseni, në një postim në Facebook, ka thënë se marrëveshja parazgjedhore në heshtje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë, sipas tij, filloi së zbatuari pas përfundimit të zgjedhjeve.
“Marrëveshja parazgjedhore filloi së zbatuari pas zgjedhjeve Qytetarët llapjanë nuk mund t’i mashtrosh. Mashtrimin nuk e meritojnë. Ajo që ekzistonte si marrëveshje në heshtje parazgjedhore, u bë marrëveshje në praktikë paszgjedhore. Kjo marrëveshje bashkëpunimi e bashkëqeverisje, me çdo kusht për të siguruar pushtet për veti, është në interes vetëm të atyre që janë në pushtet. Fatkeqësisht, më së keqi do ta pësojnë qytetarët e komunës sonë, ngase kjo do të jetë në dëm të tyre e në dobi të pushtetarëve. Pazaret për pushtet dolën në shesh. Tashmë edhe publikisht”, ka shkruar Hyseni.
“Jam krenar, që si prijës i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë qëndruam dhe do t’ju qëndrojmë besnik premtimeve e zotimeve të dhëna para secilit qytetar llapjanë, bashkërisht me asambleistët tanë. Nuk jemi bërë, as nuk do bëhemi asnjëherë pjesë e pazareve që veç për të mirën e qytetarëve nuk janë. Si i pari i LDK-së në Podujevë do të jemi të përgjegjshëm përballë secilit interes të qytetarëve, dhe do të përkrahim vetëm e vetëm punët e mira, nëse do të ketë të tilla, që do të jenë në funksion të së mirës së përgjithshme. Si partia e parë do të jemi të përgjegjshëm para secilit qytetarë të komunës sonë”, ka shkruar ai.
Në mbledhjen e sotme, Hilmi Hoxha i PDK-së është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Podujevës. Ai mori votat e mjaftueshme tek në raundin e tretë, gjithsej 19 vota. Për kanë votuar edhe Mrika Thaçi e AAK-së dhe Gazmend Islami i OBKD-së.