Gjatë ditës së djeshme, por edhe sot, nëpër ballinat e mediave në Kosovë sërish u rikthye Prindon Sadriu, bashkëshorti i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu. Prindoni është diplomat dhe ushtarak rezervë. Ai është i kudondodhur me uniformë, ndonëse rezervist në FSK dhe i ngarkuar me punë në ambasadën e Kosovës në Maqedoninë e Veriut. Sadriu sulmon mediat dhe mbron Presidenten. Ai nuk heziton të etiketojë e linçojë. Zotriu i parë, nuk dështon të befasojë.
Zotëriu i parë, Prindon Sadriu nëpërmjet një postimi në Facebook i quajti mediat “organizatë e përbashkët kriminale”, term ky që përdoret në çdo të dytën fjalë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale në Hagë ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan lajmi.net
Në postimin e tij, të cilin tashmë e ka fshirë, por nuk ka arritur t’i zhdukë provat, i akuzoi gazetarët se i shërbejnë klaneve të caktuara për çka ngjalli reagime të mëdha, duke përfshirë edhe atë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Por, Prindon Sadiu nuk e ka risi sulmin ndaj mediave. Mjafton ta vizitoni profilin e tij dhe ai vazhdimisht shkruan kundër mediave të cilat janë kritike ndaj Presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, pavarësisht posteve që ai mbanë, nuk kursehet.
Sadriu është pjesëtar rezerv i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe gjithashtu i ngarkuar me punë në ambasadën e Kosovës në Shkup. Por ai nuk heziton që t’i dalë në mbrojtje presidentes Osmanin, pavarësisht që s’është pjesë e stafit të saj, por një diplomat dhe një ushtarak.
Kjo nuk është e tëra. Sulmi ndaj mediave është vetëm një nga veprimet “e çuditshme” të Sadriut.
Prindon Omniprezenti
Zotriu i parë, është i kudondodhur, madje në shumicën e rasteve ai është me uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në të cilën është pjesëtar rezervist.
Ai në ndeshjën Kosovë – Greqi, në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte parë me uniformë kamuflazhë, ndërsa lidhur me këtë ai pati reaguar duke thënë se nuk ka qenë uniforma e Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Pavarësisht se nuk kishte urdhër për mobilizimin e stafit rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Prindon Sadriu ishte shfaqur edhe në ushtrimet “Defender Europe 21” në Babaj të Bokës së Gjakovës me uniformë të FSK-së, madje kishte “testuar” disa nga armët ushtarake.
Ndërsa këtë, për Klan Kosova e arsyetoi këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina duke thënë:“Zotëria i parë i Republikës së Kosovës, z.Prindon Sadriu është njëherësh edhe ushtarak i komponentës rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mbanë gradën e Nënkolonelit.”
Ai madje e kishte shoqëruar presidenten Osmani edhe në Darkën e Lamës.
Edhe nëpër ceremoni të tjera shtetërore.
Prindon Sadriu nuk mungon as në fotografitë e pjesëtarëve rezervë të Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Kërkesa për shtetin
Prindon Sadriu nuk përmbahet edhe në kërkesa ndaj shtetit. Sipas një dokumenti të publikuar nga Demokracia, ai u raportua se kishte kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla që t’ia lejojë vendosjen e xhamave të zi, babait të tij, vjehrrit të Presidentes Vjosa Osmani.
Më tutje, Zotriu i Parë kishte kërkuar nga shteti t’ia kompensojë shpenzimet shëndetësore për trajtimin e COVID-19 dhe këtë e kishte bërë në cilësinë e zëvendësshefit të misionit diplomatik të Kosovës në Maqedoninë e Veriut.
Zotriu i Parë madje u raportua se kishte shkruar një letër ndaj deputetës së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu nëpërmjet të cilës kishte kërkuar një deklaratë kërkimfaljeje prej saj pasi ajo e kishte quajtur “ambasador me korrespodencë”.
Dhe kjo nuk është e tëra.
Deklarimet e Prindon Sadriut sipas Kodit Disiplinor të Forcës së Sigurisë së Kosovës është janë shkelje e rëndë disiplinore. Sipas nenit 21, të Kodit Disiplinor të Forcës së Sigurisë së Kosovës, paragrafi 2.9, shkelje e rëndë disiplinore konsiderohet edhe shkelja e paanshmërisë politike.
Paragrafi 1, i nenit 21 të Kodit Disiplinor të Forcës së Sigurisë së Kosovës për ata që bëjnë shkelje të rënda disiplinore thotë se shqiptohet njëri nga sanskionet e parapara sipas nenit 16 të po këtij kodi.
Sipas nenit 16 të Kodit Disiplinor të Forcës së Sigurisë të Kosovës, për shkelje të rënda disiplinore shqiptohet vetëm njëra nga këto sanksione disiplinore: 1.1. Largimi nga FSK-ja; 1.2. Transferimi në njësi tjetër; 1.3. Transferim i përkohshëm në njësi tjetër prej gjashtë (6) deri në dymbëdhjetë (12) muaj. Ky sanksion mund të shqiptohet vetëm dy (2) herë brenda pesë (5) vjetëve ndaj pjesëtarit; 1.4. Gjoba në pagë, ku paga mujore mund të zbritet prej 16% deri në 30% në muaj për një periudhë kohore prej tre (3) deri në gjashtë (6) muaj. 2. Gjoba në pagë llogaritet në momentin kur i shqiptohet sanksioni pjesëtarit.
Paanshmëria politike gjithashtu është edhe një nga parimet e përgjithshme të shërbimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas Kodit të Mirësjelljes së pjesëtarëve të FSK-së. Sipas paragrafit 1.3 të nenit 3 mbi Parimet e shërbimit, pjesëtarët e FSK-së gjatë shërbimit janë të obliguar t’i përmbahen paanshmërisë politike.
Gjithashtu, Kodi i Mirësjelljes i FSK-së është i zbatueshëm: “për pjesëtarët aktiv, rezervë, kadetët dhe rekrutët e FSK-së, në shërbim brenda dhe jashtë vendit.”, sipas nenit 2 mbi Fushëveprimin e Kodit të Mirësjelljes.
Edhe sipas ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, nuk lejohet anshmëria politike. Neni 6 i këtij ligji, mbi paanshmërinë politike sipas paragrafit 2 dhe dhe nënparagrafeve 2.1 dhe 2.2 ndalon pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që: 2.1; të jenë anëtarë të partive politike, organizatave ose shoqatave me karakter politik; 2.2; të marrin pjesë në veprimtaritë politike që organizohen prej tyre e as nuk mund të shfaqin shenja të përkrahjes së cilësdo prej tyre.
Këto janë vetëm disa nga veprimet e tij, që bëjnë të mundur që rasti i Zotriut të Parë të quhet “i çuditshëm”. Jo i çuditshëm sikur ai i Benjamin Button, por i çuditshëm për kudondodhshmërinë, sulmet e tij ndaj mediave dhe veprimet të cilat kanë ngjallur reagim të madh në opinionin publik. /Botapress.info/