Raporti i Terras: Dezinformatat nga akterë të huaj, rrezik gjatë zgjedhjeve në Kosovë

Raporti më i fundit për Kosovën, i hartuar nga eurodeputeti dhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, thekson se përhapja e dezinformatave gjatë periudhave zgjedhore paraqet një shqetësim në rritje.

Sipas raportit, përhapja e informacionit të rremë dhe manipulues mbetet një sfidë serioze për institucionet dhe për stabilitetin shoqëror në vend.

“2025 vit i humbur për Kosovën”, pyetet në draft-raportin e Terras. Në kapitullin që trajton liritë themelore dhe të drejtat e njeriut, dokumenti vëren se aktorë të huaj po përhapin gjithnjë e më shumë dezinformata që lidhen me tensionet ndëretnike, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore.

“Shpreh shqetësim për rritjen e dezinformatave rreth tensioneve ndëretnike që po përhapen nga akterë të huaj, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore; bën thirrje për një reagim më të fuqishëm institucional dhe përmirësim të edukimit mediatik,” thuhet në raportin e hartuar nga Terras.

Raporti gjithashtu vlerëson se, ndonëse korniza ligjore dhe institucionale për të drejtat e njeriut në Kosovë është në përgjithësi e vendosur, zbatimi i saj mbetet i pamjaftueshëm. Në këtë drejtim kërkohet forcim i zbatimit të legjislacionit që garanton të drejtat e komuniteteve joshumicë.

Sa i përket medias, dokumenti përmend se Kosova ka një peisazh pluralist mediatik, por shpreh keqardhje për mungesën e progresit në garantimin e plotë të lirisë së shprehjes. Raporti vëren gjithashtu rënien e Kosovës në indeksin botëror të lirisë së medias për vitin 2025.

Në raport shprehet shqetësim edhe për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave, ndërsa kërkohet përmirësim i reagimit prokurorial dhe përafrim i legjislacionit për median me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Një tjetër rekomandim i raportit lidhet me sigurimin e financimit të qëndrueshëm dhe pavarësisë së transmetuesit publik të Kosovës, Radio Televizionit të Kosovës, duke kërkuar mbikëqyrje më të balancuar dhe përfaqësuese të institucionit.

Të tjera