Botapress 10 Gusht – Rrebeshet, ciklonet tropikale, përmbytjet thatësirat e frikshme do të shtohen me një dendësi të papërfytyrueshme nëse njerzimi nuk merr masa për të përballuar efektet e ngrohjes globale. Ky është konkluzioni i një studimi voluminoz,
të nënshkruar nga 234 shkencëtarë ndërkombëtare që marrin pjesë në Panelin Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC që bën pjesë në OKB).
“Në raportin që u bë publik të hënën më 9 gusht nga IPCC theksohet se për herë të parë është provuar se janë aktivitetet njerëzore dhe jo ndryshimet natyrore të klimës që shkaktojnë ngrohjen e vënë re në dekadat e fundit” shkruan gazeta Le monde që i ka kushtuar këtij evenimenti ballinën e saj.
Ky vëzhgim nuk është i ri, por nuk ka qenë kurrë më parë kaq i pamëshirshëm: ngrohja e klimës, e cila shkakton ngritjen e nivelit të detit, shkrirjen e akullnajave dhe rritjen e numrit të ngjarjeve ekstreme, po përkeqësohet me një ritëm dhe me një shpejtësi të pandodhur për mijëvjeçarë me radhe dhe po prek të gjitha rajonet e botës” shkruhet në editorialin e gazetës franceze.
“Kur shoh rezutatet që gjetëm në ekstremet klimatike, atëherë do thoja ne jemi ndërkohë në një krizë të klimës”, thotë Sonia Seneviratne, studiuese në Institutin për Shkencën Atmosferike dhe Klimën në Universitetin ETH në Zyrih dhe bashkëautore e raportit. “Vërtet që kemi një problem të madh.”
Në itin 2015 liderët botërore premtuan të kufizonin ngrohjen globale deri në fund të shekullut nën 2 gradë celcius, ideale do të ishte 1,5 gradë, në një përpjjekje globale për të mënjanuar katastrofat në shtim. Por ky tavan i parashikuar të preket në fund të shekullit do të ceket që në 15 vitet e ardhshme, nëse vazhdohet me këto rritme thekson raporti i miratuar nga 195 vende anëtare
Ky dokument që u publikua në mesin e një vale zjarresh, nxehtësie e përmbytjesh që kanë prekur si vendet e pasura edhe ato të varfra, i nxori përfundimet e tij pas shqyrtimit të mëse 14.000 punimeve shkencore.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres e përshkruar raportin si një “kod të kuq për njerëzimin” dhe bëri thirrje t’i jepet fund përdorimit të qymyrit dhe lëndëve djegëse fosile, të cilat janë jashtëzakonisht ndotës.
IPCC është krijuar në vitin 1988 nga dy institucione të OKB: Organizata Botërore Meteorologjike (ëMO) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për mjedisin (UNEP). Misioni i saj është të vlerësojë dhe sintetizojë gjendjen e njohurive të shkencëtarëve të ndryshëm për çështje si klima, shkaqet, pasojat dhe zgjidhjet e mundshme për ta kontrolluar atë, në mënyrë që të sigurohet një diagnozë e saktë dhe objektive në shërbim të hartuesve të e politikave.
Pra përfundimet e saj nuk nuk kanë të bëjë me kryerjen studimeve të reja, por me krijimin e një konsensusi të bazuar në ato ekzistuese.
Raportet e këtij paneli shërbejnë në veçanti si bazë për negociatat ndërkombëtare për klimën, por IPCC nuk ndikohet nga vendimet politike që jo gjithmonë shkojnë në favor të përmirësimit të klimës sepse marrin në llogari edhe faktorë të tjerë.
Përgatiti: Lapsi.al