Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka reaguar pas raportimeve se një pacient është operuar pa anestezion ndërsa një tjetër është operuar në spital privat nga mjekët që punojnë në QKUK me arsyetimin se u ka përfunduar orari në punë të shtetit.
Në komunikatën për media të ShSKUK thuhet se ky insititucion “është duke trajtuar rastet e raportuara së fundmi, lidhur me kryerjen e operacionit në Klinikën e Urologjisë, pa anestezion, e poashtu, mos operimin e pacientit tjetër dhe dyshimin se i njëjti është kryer në klinikë private”.
Tutje në njoftim u bëhet thirrje të gjithë atyre që kanë ankesa, ta bëjnë me shkrim këtë.
“Menaxhmenti i ShSKUK-së, ka kërkuar raport me shkrim nga dy klinikat përkatëse dhe jemi në pritjet të këtyre raporteve, për të proceduar tutje me rastet. Poashtu, ShSKUK fton të gjithë qytetarët që ka ankesa, apo vështirësi gjatë trajtimit shëndetësorë, në institucionet e ShSKUK-së, t’i drejtohen me shkrim Komision të Ankesave të pacientëve në ShSKUK, i cili do të shqyrtojë çdo ankesë dhe shqetësim të qytetarëve” theksohet në komunikatë.