Komunat e Kosovës kurrsesi të kurrsesi të gjejnë paqe me Qeverinë e Kosovës. Kabineti qeveritar nuk po merr parasysh asnjë kërkesë të komunave në lidhje me buxhetin. Pas bllokimit të të hyrave vetanake, ekzekutivi nuk po i merr parasysh as kërkesat e komunave për rimbursimin e mjeteve nga falja e 100 eurove prej Tatimit në Pronë.
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar nga niveli qendror rimbursimin e mjeteve nga falja e 100 eurove prej Tatimit në Pronë.
Përmes një letre drejtuar kryetarit të Kuvendit, nënkryetarëve të Kuvendit, dhe shefa të Grupeve Parlamentare, ky bord ka vlerësuar se falje e këtyre mjeteve do të varfëronte buxhetin e komunave.
Policia jep detaje për vdekjen e burrit nga Istogu që e zuri vetura
Në këtë letër bordi ka bërë me dije se faljen e shumës së këtyre mjeteve duhet ta mbuloj niveli qendror.
“Nga analizat tona mund të konkludohet se nga një veprim i tillë komunat mund t’i kenë për 40% më të ulta të hyrat vetanake për vitin 2023 sesa është paraparë nga projekcionet buxhetore. Duke ditur këto, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës kërkon nga Ju që me Projektligjin për Tatimin në pronë, krahas faljes se 100 eurove të vendoset që rimbursimin e kësaj shume ta mbuloj niveli qendror në mënyrë që të mos varfërohen Komunat e Kosovës dhe të mos ketë ndikimin në realizimin e projekteve kapitale të parapara me buxhetet komunale të këtij viti”, është thënë në letër
Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës ka kaluar Projekt Ligji për plotësim ndryshimin e Tatimit në Pronë me anë të së cilit është propozuar edhe falja e 100 eurove të para nga tatimi në pronë i qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Asociacioni ka bërë me dije se komuna nuk jemi konsultuar për këtë propozim dhe as për ndikimet që do ti ketë ky Ligj në buxhetet komunale dhe realizimin e projekteve të tyre kapitale.
“Edhe me këtë rast, nuk janë marrë fare parasysh specifikat e Komunave e ku kjo do të afektoj sidomos komunat e vogla kur të hyrë kryesore kanë të hyrat vetanake nga tatimi në pronë. Me këtë projektligj, niveli qendror tash do t’i detyrojë komunat të marrin vendime për faljen e 100 eurove të para e sidomos tashmë pasi janë shpërndarë faturat e tatimit në pronë dhe në anën tjetër janë aprovuar buxhetet komunale me projeksionin e të hyrave pa falje dhe mbi bazën e këtij projeksioni buxhetor është paraparë edhe realizimi i projekteve kapitale”, është thënë në letrën e Asociacionit.
Opozita e shqetësuar me injorimin e kërkesave të komunave
Subjektet opozitare janë shprehur të shqetësuar me injorimin që Qeveria po ua bënë kërkesave të komunave. Zyrtarët e këtyre partive kanë thënë se me faljen e tatimit në pronë komunat rrezikojnë falimentimin.
Në seancën parlamentare të së enjtes, Shefi i Grupit të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ligji për faljen e tatimit rrezikon falimentimin e pushtetit lokal.
“Çështje tjetër ka të bëjë me Ligjin për Faljen e Tatimit në pronë, respektivisht përshkallëzimin e taksës. Kërkoj që të ndaleni me këtë ligj, sepse ky ligj do ta falimentojë pushtetin lokal në Kosovë. Të hyrat vetanake që krijohen nga tatimi në pronë do të dëmtohen 40%. Komunat e Kosovës, 40% do të kenë më pak investime, për shkak se nuk do të mund t’i krijojnë të hyrat vetanake, për shkak se po i falni 100 euro. Në qoftë se doni t’i falni, në rregull jemi. Qeveria ta subvencionojë këtë falje, ashtu siç ka subvencionuar tema tjera. Por, jo të falni në emër të të hyrave vetanake që krijohen në komuna”, ka thënë Tahiri.
Ai ka ftuar Qeverinë që t`i pyesin komunat që qeverisin për këtë ligj.
“Pyesni kryetarët e Gjilanit, Podujevës e Kamenicës se çka nënkupton kjo për ta, 40% më pak mjete do të kenë për të investuar në komunat e tyre. Askush që ka tatim mbi 100 euro nuk ka nevojë të marrë barrë për dikë tjetër, atë barrë le ta merr shteti e jo qytetarit t’i faturohet në këtë temë”, ka thënë Tahiri.
Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që për shkak të këtij ligji të pezullon cdo votim në Kuvend.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se Ministria e Financave po tenton të marrë buxhetin e komunave.
Ai ka bërë me dije se kjo parti nuk do të marrin pjesë në votimin e asnjë seance apo marrëveshje ndërkombëtare deri sa të merren parasysh kërkesat e komunave.
“Paaftësia dhe qëllimi i ministrit i keq po na bjen në një situatë ku ne refuzojmë të komunikojmë me të. GP i LDK-së deklaron se nuk merr pjesë në votim në asnjë seancë, në votim të marrëveshjeve ndërkombëtare, në komisione, dhe do ta shqyrtojë shumë shpejt mospjesëmarrjen në votim në kryesi.” ka thënë ai.