Vitin e kaluar, 20 punonjës të komunitetit serb nga “Mbrojtja Civile”, e cila u shpall organizatë terroriste nga Qeveria e Kosovës, morën 101 mijë euro pagë nga qeveria. Këto janë të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin vjetor për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Sipas raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të kësaj ministrie thuhet se “sipas konfirmimeve nga zyrtarët e ministrisë, këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në këtë ministri.
“Bazuar në vendimin e Qeverisë Nr.06/39 i dt. 22.07.2015, ish Ministria e Administratës Publike, ishte e obliguar t’i sistemoj 20 punonjës të komunitetit serb, pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘’Mbrojtja civile’’. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2022 ishte 101,474€”, thuhet në raporton.
![](https://sinjali.com/wp-content/uploads/2023/07/aaa.png)
Ndryshe, para dy ditësh, Qeveria e Kosovës ka shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, të cilat veprojnë në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.
Dy organizatat numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb.
“Bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë së Kosovës, formacionet ilegale ‘Mbrojtja Civile’ dhe komponenti i saj, ‘Brigada e Veriut’, paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës”, tha kryeministri Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 29 qershor.
Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.
Kujtojmë se në vitin 2013 ishte miratuar marrëveshja për shpërbërjen e “Mbrojtjes Civile”, ku në këtë kohë ishin arritur edhe marrëveshja për zgjedhjet lokale, marrëveshja për integrimin e policisë, marrëveshja për drejtësi, ajo për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshja për energji dhe ajo për telekomunikacion.