Të martën është aktualizuar çështja e veturave e posaçërisht ato të markës gjermane ‘Mercedes’. Kjo pasi hoxha nga Prizreni, Mazllam Mazllami, pranoi një veturë si dhuratë nga xhemati i tij në rastin e pensionimit.
Mazllumi pasi falënderoi xhematin e tij për këtë dhuratë, tha se se këtë dhuratë do të duhej t’ia bënte Naim Tërnava.
“Me thënë të drejtën këtë lloj veture është dasht Naim Tërnava me ma jap e jo xhemati. Sepse jam punëtor i Bashkësisë Islame, sepse krejt familja jemi punëtorë të BIK’ut. Djali madh, i dyti, unë”, ka thënë ai.
Për këtë pati komplimente, por nuk munguan as kritikat. Madje, disa ngritën fije dyshimi për mënyrën se si financohen imamët në Kosovë, e bashkë me ta edhe kryeimami, Naim Tërnava, raporton Botapress.
Fillimisht, ishte gazetar Valon Syla i cili tregoi se si në vitin 1984, Tërnava kishte shkuar te babai i tij për ta blerë një veturë, derisa ka thënë që ende ka mbetur “merakli i kerreve”.
Ai ka përmendur veturat që Tërnava ua ka blerë fëmijëve të tij, ndërsa ka përmendur edhe veturën Mercedes të cilën e pranoi hoxha Mazllam Mazllami në muajin e Ramazanit.
“A janë hoxhollarë këta, apo njerëz të showbizit”, shkruan Syla. Ai e ka quajtur Tërnavën “Mulla Limuzinë Tërrnava”, derisa e ka akuzuar për mos-raportim të financave të tij.
“Çfarë shembulli fetar është ky muajin e mëshirshëm dhe modest të Ramazanit. Por me gjasë hoxhallarët i ka rrokë puberteti i dytë, apo kriza e moshës së mesme që ende egot e tyre dhe apelin seksual kqyrin me shëru me kerre të shtrejta.”, shkroi Syla.
Për dallim nga Syla, analisti dhe përkrahësi i LVV-së, Xhevdet Pozhari, mendon ndryshe.
Ai ia bëri përhajër hoxhës veturën e re, teksa foli për analistët pro Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit, duke i kritikuar të njëjtit që po gjejnë kohë të merren me dhurata e gjëra të tilla.
“Pasi që këto ditë ishte pushim dhe nuk patën se me çka të merren me Qeverinë, këtyre analistave anti-Albin e pro-Hashim, ju paska dal vakt me u marr me dhuratën, veturë Mercedes, që ia kanë bë xhemati një hoxhe të pensionuar”, shkroi ai.
‘Të njëjtin kanë harruar ose nuk duan ta përmendin se firma Mercedes pat refuzuar me ju shit vetura Qeverive të korruptuara të Hashim Thaçit. Hoxhë, e gëzofsh veturën”.
Në një moment që duket paksa i çuditshëm, Pozhari flet për ish-qeverinë e udhëhequr nga Hashim Thaçi. Rrjedhimisht, duke e quajtur të korruptuar këtë ish-pushtet, Pozhari e jep një përshtypje se ka “harruar” që edhe vetë ka qenë pjesë e atij ekzekutivi.
Pozhari në të njëjtën kohë nuk tregon se për çfarë periudhe kohore bëhet fjalë, por vetëm shkruan se firma “Mercedes” ka refuzuar t’iu shes vetura qeverive të “korruptuara të Hashim Thaçit”.
Por paradoksalisht, para se të njihej në publik si analist politik, Pozhari kishte qenë këshilltar i Fatmir Limajt, pikërisht kur qeverinë e udhëhiqte Hashim Thaçi, tregoi një dokument i siguruar nga Paparaci.
Limaj në kohën kur kishte qenë ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit e kishte afruar afër vetes Pozharin.
Më saktësisht, ishte 1 prilli i 2010’s kur Pozhari emërohet këshilltar politik dhe zëdhënës i kësaj ministrie që atëkohë drejtohej nga Limaj i PDK-së, tash kryetar i Nismës Socialdemokrate. Rroga e tij bruto kishte qenë 577.50 euro.
Sidoqoftë, Pozhari kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë pas një viti për arsye ende të pazbardhura, njashtu siç janë edhe këshillat e tij karshi Limajt.
Pozhari, i cili njihet për afërsinë dhe analizat e tij pro Lëvizjes Vetëvendosje, aktualisht është i angazhuar si ekspert i jashtëm në Ministrinë e Shëndetësisë.
Ai kishte treguar se në këtë ministri që aktualisht drejtohet prej ministrit Arben Vitia, kishte punuar edhe më parë në pozitën e këshilltarit për media./Botapress.info/