Sipas hulumtimit të Insajderit, pas raportimeve të qytetarëve, tregon se punësimet në Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme në Mitrovicë, po bëhen me baza partiake. Komunë kjo që udhëhiqet nga Bedri Hamza nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Rreth para një jave janë publikuar listat për pranimin e një kandidati në Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme në Mitrovicë, me pozitën “Ndihmës Punëtor”.
![](https://insajderi.org/wp-content/uploads/2022/08/298002480_5265738780187994_4484749903419210518_n.png)
Në këtë konkurs kanë aplikuar gjithsej 10 kandidat, mirëpo është pranuar vetëm vajza e militantit të PDK-së, Vlora Haxhiu.
![](https://insajderi.org/wp-content/uploads/2022/08/298021348_408371697953745_7489357876759205712_n-1.png)
Nga hulumtimi i Insajderit, babai i kandidates së pranuar është Ferit Haxhiu, i cili edhe ka kandiduar për zgjedhje komunale nga radhët e PDK-së, në Mitrovicë.
![](https://insajderi.org/wp-content/uploads/2022/08/Untitled-design-14.png)
Kandidatja e parë e pranuar, Vlora Haxhiu, në konkursin për “Ndihmës Punëtor”, ka arritur 506, pikë gjithsej, me anë të së cilës edhe është përzgjedhur për këtë pozitë.
![](https://insajderi.org/wp-content/uploads/2022/08/297569203_7740540876019594_8005294284196912108_n.jpg)
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me Nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës, Arian Tahirin, se a ështëpunësuar kandidatja me baza pariake, mirëpo përkundër që kemi pritur më shumë se pesë (5) ditë nga i njëjti nuk është kthyer asnjë përgjigje.
Gjithashtu është kontakuar edhe vajza në fjalë, Vlora Haxhiu, mirëpo e njëjta nuk është përgjigjur asgjë.Gazeta ka dërguar email edhe te Drejtoria e Administratës së Përgjithshme në Mitrovicë, mirëpo të njëjtin nuk janë përgjigjur.
Ditë më parë Gazeta ka raportuar po për këtë komunë, e udhëhequr nga Bedri Hamza për punësimet e fundit në sektorin e shëndetësisë ku dyshohet se po bëhen me lidhje partiake por edhe familjare.
Nga dhjetëra kandidatë, dy që u pranuan kanë lidhje. Njëri ka një familjar tashme të punësuar aty ku po shkon edhe vet, tjetri në publik haptazi e ka shfaqur miqësinë me nënkryetarin e komunës, Arian Tahiri.
Në këtë konkurs për laborant aplikuan gjithsej 56 kandidatë. Nga numri total i aplikimeve, 12 nga ta munguan në testim, duke bërë kështu që në garë të jenë vetëm 44 kandidat.
Bashkë me 54 kandidatë të tjerë, në këtë konkurs kishin aplikuar edhe Luan Gjinovci e Albin Murseli, njëri aktivist i Partisë Demokratike – dega në Mitrovicë – ndërsa tjetri del të jetë djali i laborantit në këtë qendër.
I pranuari i parë, djali i Laborantit të QKMF-së
Albin Murseli, i cili u pranua si i pari në listë, sipas burimeve të Insajderit, del të jetë edhe i biri i laborantit të QKMF-së, Brahim Murselit.
Ndërsa i pranuari i dytë, Aktivist i Partisë Demokratike i dyti në listë
I dyti në listë i pranuar në këtë konkurs doli, Luan Gjinovci me gjithsej 68.5 pikë të grumbulluara.
Gjinovci është parë në shoqërinë e nënkryetarit të PDK-së në Mitrovicë, Arian Tahiri dhe asamblistit, Fisnik Suma.
Punësimet politike e familjare në Kosovë traditë prej vitesh
Që në institucionet publike të punësohen persona të afërt me politikanë e parti në pushtet nëpër komuna, tashmë ky është fenomeni i denoncuar e raportuar gjerësisht.
Ka shumë raste ku janë raportuar edhe shkelje brenda konkurseve të ndryshme, po për të punësuar njerëz të afërt me partitë në pushtet.
Djali, vajza, nipat e mbesat kanë përfituar jo rrallë herë nga politikbërësit, e sidomos ata të pushtetit në vend.
Gazeta Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për rastet e tilla pavarësisht nga partia politike ku janë marrë veprimet e tilla.