Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka publikuar sot aktgjykimin e plotë për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilin e ka rrëzuar pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e opozitës.
Të premten e 24 marsit, kjo gjykatë kishte bërë të ditur, se pas vlerësimit të ligjit bazuar në kërkesat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, disa nene të këtij ligji janë vlerësuar në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Dy vjetori i Presidentes – Si e la Vjosa Osmanin, Kosovën pa Kryeprokuror?
Me ndryshimet në Ligjin për KPK-në, ndërrohej mënyra e funksionimit të Këshillit Prokurorial por edhe përbërja e këtij këshilli.
Sipas vendimit të Kushtetueses, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial. Duke numëruar konstatimet për mospërputhshmëri me Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka vendosur që “të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”.
Palët që kishin parashtruar kërkesën ishin ankuar edhe se ndryshimi i përbërjes zvogëlon proporcionin në mes të anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë, e, sipas pretendimeve, vendimmarrja e një institucioni të pavarur kushtetues do të nënshtrohej ndaj vullnetit politik të shumicës në Kuvend, që do t’i zgjidhte anëtarët joprokurorë të Këshillit.
Në Ligjin e kontestuar, KPK-ja parashihej të përbëhej nga shtatë anëtarë, përfshirë Kryeprokurorin, dhe tre anëtarë prokurorë të përzgjedhur nga sistemi prokurorial dhe tre joprokurorë. Në të kaluarën KPK-ja përbëhej nga nëntë anëtarë prokurorë të zgjedhur nga sistemi prokurorial dhe tre anëtarë joprokurorë të përzgjedhur nga Kuvendi, sipas propozimeve të Odës së Avokatëve dhe Fakulteteve Juridike dhe konkursit publik.