Zyra e Rregullatorit për Energji ka marrë vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kWh rrymë në muaj. Në raportin konsultativ për tarifat e reja, në mbledhjen e sotme të bordit të ZRRE-së u tha se kanë marrë komente të shumta si asnjëherë më parë.
ZRRE-ja, ndër tjerash, ka refuzuar propozimin nga furnizuesi me shërbim universal që rritja e çmimit të rrymës të bëhet në mënyrë lineare prej 11.96% për të gjithë konsumatorët.
“Ky propozim i furnizuesit për shërbim universal për ZRRE-në është i papranueshëm, për arsye se, në njërën anë do të thellonte ndërsubvencionimin – që është në kundërshtim me metodologjinë tarifore – dhe nën dy, nuk reflekton kostot e shërbimit me energji elektrike. Prandaj ZRRE ose departamenti nuk i rekomandon bordit që të aprovohet një rritje e tillë lineare por do ta elabuorojë më tutje propozimin e departamentit dhe disa komente të palëve të interesit në këtë proces”, tha njëri nga zyrtarët e departamentit për tarifa në ZRRE.
ZRRE ka konsideruar se vendosja e bllok-tarifës progresive nuk është masë diskriminuese ngase sipas këtij organi, ajo aplikohet njëtrajtshëm.
Departamenti për tarifa në ZRRE tha se i ka marrë për shqyrtim kostot dhe shitjen e energjisë elektrike dhe e ka ridizajnuar propozimin për tarifat.