Bashkimi Evropian (BE) ka preferuar që kryetarët shqiptarë të komunave në veri të vendit të japin dorëheqje si një rrugë më e shkurtër për zgjedhje të reja.
”Dorëheqjet e kryetarëve të komunave janë mënyra më e shpejtë për të nxitur zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që të dyja palët duhet të tregojnë konstruktivitet në realizimin e zgjedhjeve. Status-quoja e cila rezultoi nga tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nëntorin e kaluar dhe bojkotimi i zgjedhjeve të prillit nga komuniteti serb i Kosovës, nuk është e qëndrueshme,” – thuhej në një përgjigjien për Klan Kosovën nga Shërbimi për Punë të Jashtme (EEAS).
Një propozim të tillë e kishte bërë më herët Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Abdixhiku kishte prezantuar para do kohësh planin 7-pikësh për daljen e Kosovës nga kriza ku ishte futur.
Si pikë e parë e këtij plani parashihej pikërisht dorëheqja e kryetarëve të komunave në veri të Mitrovicës.
“Së pari, me qëllim të shtensionimit të situatës në territorin te saj, Kosova duhet të angazhohet drejt organizimit të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, me qëllim të sigurimit të legjitimitetit të plotë përfaqësues qytetar, legjitimitet që nuk është arritur nga pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e jashtëzakonshme të datës 23 prill 2023,” – thuhet në pikën 1.
“Në këtë drejtim, Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se një marrëveshje politike, në mes të pjesëmarrësve paraprak në procesin zgjedhor, përkatësisht të dy partive pjesëmarrëse (LVV dhe PDK) dhe të katër kryetarëve të zgjedhur, për dorëheqjen me marrëveshje politike të këtyre të fundit, do të niste procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme brenda periudhës 45-ditore; periudhë e mjaftueshme për shtensionim të situatës dhe rikthim të rendit dhe ligjit,” përfundoten pika 1 e planit të LDK-së.
Ky plan ishte prezantuar pas fillimit të takimeve të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me gazetarë e pastaj edhe me shoqërinë civile. Po ashtu, Abdixhiku ia kishte shprehur planin edhe shefit të BE-së në Prishtinë.
Por, nga ana tjetër kryeministri dhe zv. kryeministri përmes disa deklaratash është dukur se do ta kushtëzojnë tërësisht mbajtjen e zgjedhjeve të reja me heqjen e sanksioneve nga ana e BE-së.