Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se e mirëpret vendimin e Kosovës për të pranuar në parim propozimin e BE’së, të njohur si plani franko-gjerman.
Ai ka thënë se SHBA’ja do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të plotë për dialogun me Serbinë të lehtësuar nga BE’ja.
Shqetësimet për sigurinë në veriun e Kosovës mes debateve për zgjidhje politike
Hovenier gjithashtu ka shtuar se marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme për të dyja vendet.
”Shtetet e Bashkuara janë të inkurajuara dhe mirëpresin vendimin e Kosovës për të pranuar në parim propozimin e BE’së dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.”
”Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë,” ka shkruar ai në Twitter.
Rreth takimeve që pati dje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic, një postim në Twitter e shkroi sot në mëngjes edhe emisari i posaçëm i BE’së për dialogun, Miroslav Lajcak.
Diplomati sllovak la të kuptohet që pasi Kosova e pranoi propozimin e BE’së, do ketë takime të niveleve të larta.
”Udhëtova për në Prishtinë për të takuar kryeministrin Albin Kurti dhe Besnik Bislimin. Edhe në Beograd bëra të njëjtën gjë me presidentin serb, Aleksandar Vucic dhe Petar Petkovic.”
”Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi në parim Propozimin e BE’së. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë”, shkroi ai. /Botapress.info/