Promovohet libri “KTHIMI I TRURIT” nga autori Ramiz Selimi  

 

 
 
Në praninë e një audience të gjerë që përfshinte figura nga kultura, arsimi, diaspora, 
krijues, miq e bashkëpunëtorë, si dhe institucionet lokale, në ambientet e Kuvendit 
Komunal të Klinës, u mbajt promovimi i librit më të ri publicistik “KTHIMI I TRURIT ” nga 
autori, analisti dhe veprimtari i mirënjohur, Ramiz Selimi.  
Me pjesëmarrje promovimin e nderuan vet Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun 
Elezaj, me stafin e tij drejtues, të drejtorëve: Binak Syla, Enver Berisha, Faruk Smajli, si 
dhe Driton Bardhecin, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Klinë që ishte angazhuar 
personalisht në mbarëvajtjen e këtij evenimenti, përmes njeriut që punon shumë në 
prapavijë zotit Alban Gashit. 
Nga folësit ky botim u vlerësua si kontribut domethënës në pasqyrimin e përpjekjeve për 
të lidhur trurin e shpërndarë me zhvillimin e vendit. Vepra sjellë, ese, opinione, intervista 
me personalitete të ndryshme, nga diplomat dhe politikan evropian, si dhe intelektual dhe 
përfaqësues të biznesit. 
Ishte një aktivitet i organizuar nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës zotit Prof. Dr. 
Zenun Elezaj, në një atmosferë të ngrohtë dhe shumë dashamirëse, përballë figurave të 
njohura akademike, intelektualëve të rajonit dhe dashamirëve të librit. 
Vepra “KTHIMI I TRURIT ” është një libër publicistik me karakter reflektues dhe 
angazhues, i cili trajton temën e diasporës shqiptare dhe potencialin e saj për të 
kontribuar në zhvillimin ekonomik, arsimor dhe diplomatik të Kosovës. Në thelb, “Kthimi i 
trurit” është thirrje për reflektim mbi potencialin e pashfrytëzuar të mërgatës shqiptare. 
Është platformë mendimi që nxit debat, vetëdije dhe bashkëpunim për një të ardhme më 
të ndriçuar për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. 
Promovimin e udhëhoqi moderatorja e re Agnesa Vishaj. 
Fjalimet e panelistëve, reflektime mbi vlerën e veprës[ 
Në panelin promovues morën fjalën disa personalitete me peshë, të cilët ndriçuan vlerën e 
librit dhe rolin e autorit në jetën publike: 
Prof. Dr. Zenun Elezaj, në fjalën e tij përshëndetëse, vlerësoi lart kontributin e autorit jo 
vetëm në fushën e publicistikës, por edhe në jetën shoqërore, kulturore dhe atdhetare. Ai 
theksoi se Komuna e Klinës gjithnjë do të mbështesë nismat e tilla që kanë për synim ngritjen 
e vetëdijes dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. “Ramiz Selimi është një zë që i duhet shoqërisë 
sonë,” u shpreh ai, duke nënvizuar se “Kthimi i Trurit” është një pasqyrë e vërtetë e kohës që 
po jetojmë. 
Prof. Safet Gerxhaliu, një nga njohësit më të mirë të zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore 
në Kosovë, foli për rrugëtimin jetësor dhe profesional të autorit. Ai e përshkroi Selimin si një 
figurë, si urë ndërmjet diasporës dhe institucioneve vendore, që ka dhënë shembullin e 
bashkëpunimit konkret për zhvillimin e Kosovës. “Ramizi është dëshmi e asaj se diaspora nuk 
është vetëm burim financiar, por edhe burim i mendjes, përvojës dhe ideve të mëdha,” tha 
Gerxhaliu. 
Prof. Prend Buzhala, recensent dhe redaktor i librit, analizoi strukturën dhe përmbajtjen e 
veprës me një qasje kritike dhe përkushtim profesional. Ai evidentoi temat kryesore që trajton 
libri: analizat politike, sfidat e mërgimtarëve, intervistat me personalitete të rëndësishme dhe 
ngjarjet me peshë historike. Ai vlerësoi gjuhën e autorit si të qartë, të komunikueshme dhe të 
angazhuar, që arrin të ndërtojë ura mes lexuesit dhe realitetit. “Kjo vepër është më shumë se 
një libër, është një apel i sinqertë për kthesë kulturore dhe morale,” theksoi Buzhala.

 

 

 
Z. Esat Loshaj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pejës, në kumtesën e tij u ndal tek 
dimensioni qytetar i veprës. Ai theksoi se “Kthimi i Trurit” e tejkalon sferën e publicistikës 
dhe hyn në fushën e angazhimit të thellë intelektual. “Në çdo faqe të këtij libri ndjehet zëri i 
një njeriu që nuk pranon të heshtë përballë deformimeve sociale dhe humbjes së idealeve,” tha 
Loshaj. Në shenjë mirënjohjeje, ai i dhuroi autorit një dekoratë për kontributin e çmuar në 
letërsi dhe në promovimin e vlerave shqiptare. 
Fjalimi i autorit, një rrëfim përkushtimi dhe shprese 
Në fjalën e tij falënderuese, autori Ramiz Selimi vuri në pah se libri është ndërtuar mbi 
përvojat e tij personale në mërgatë. Ai theksoi se “Kthimi i Trurit” nuk është vetëm një 
përmbledhje analizash apo shkrimesh të rastit, por një përpjekje për të zgjuar ndërgjegjen 
kolektive dhe për të rikthyer besimin në forcën e mendjes shqiptare. 
Selimi solli në kujtesë përvojat e tij nga jeta në mërgatë, ku për vite me radhë ka ndërtuar ura 
bashkëpunimi mes diasporës dhe institucioneve vendore. Ai ndau një ngjarje domethënëse: 
organizimin e një vizite të delegacionit të Qeverisë së Kosovës në Austri në një kohë kur 
vendi nuk kishte ende ambasadë në Vjenë. Ai tregoi me emocion për pritjen zyrtare që 
delegacioni mori nga autoritetet austriake, duke përfshirë kryetarin e Landit të Austrisë së 
Epërme, Josef Pühringer, dhe takimet me kryeparlamentaren Barbara Prammer dhe ministrin e 
jashtëm austriak, ngjarje që shënuan një hap të rëndësishëm në afirmimin ndërkombëtar të 
Kosovës. 
Por përtej vizitave politike dhe ceremoniale, autori theksoi edhe përpjekjet konkrete për 
nxitjen e bashkëpunimit ekonomik midis Austrisë dhe Kosovës, ku organizuan vizita të 
shumta në kompani të ndryshme për të parë mundësitë e partneritetit në fusha të ndryshme 
ekonomike. Sipas Selimit në bashkëpunim me ndërmarrësit austriak u identifikuan mundësi 
konkrete investimi, u përgatitën propozime të strukturuara. Megjithatë përpjekjet mbeten 
vetëm në letër, pasi men ndërrimin e qeverive gjithçka kthehej në pikën zero. 
Një pjesë e rëndësishme e librit është edhe analiza e modelit irlandez të kthimit të trurit, ku 
ish-presidentja Mary Robinson ndërmori politika konkrete për të ndalur emigrimin dhe për të 
rikthyer në atdhe miliona irlandezë. Ky model, sipas autorit, duhet të shërbejë si frymëzim për 
Kosovën, që ende përballet me ikje masive të kuadrove dhe rinisë intelektuale. 
Mbyllja e ceremonisë, një premtim për vazhdimësi 
Në përfundim të aktivitetit, të gjithë të pranishmëve iu dhurua nga një kopje e librit, si simbol 
mirënjohjeje dhe si nxitje për ta përhapur mesazhin e tij më gjerë në shoqëri. Ceremonia u 
mbyll mes duartrokitjesh të ngrohta, me ndjenjën se kjo vepër nuk do të mbetet vetëm në 
raftet e bibliotekave, por do të jetojë si kujtesë dhe frymëzim për një epokë të re mendimi e 
veprimi kombëtar. 
“Kthimi i Trurit” nga Ramiz Selimi, është më shumë se një libër, është një lëvizje mendore, 
një betejë paqësore për kthimin e mendjes dhe moralit në trungun shqiptar. Dhe kjo betejë, me 
nisma të tilla, është vetëm në fillim. 
Nga MBA Dafina Selimi 
 

 

Të tjera