Analisti amerikan Edward P. Joseph ka bërë një shkrim në mbrojtje të Kosovës në prag të samitit të NATO-s që do të mbahet në Lituani. Argumentet e tij janë të rëndësishme për t’u kuptuar edhe brenda opinionit publik në vendin tonë. Çka thuhet aty?
Samiti i NATO-s në Lituani do t’i kushtojë rëndësi edhe rajonit tonë, siç vë re vetë z. Joseph.
Profesori amerikan kishte qenë edhe në Kosovë muajin e kaluar, ndërsa në Prespë kishte takuar edhe kryeministrin Kurti. Ai përmes shkrimit të tij vazhdon t’i mëshojë idesë së tij për rëndësinë e madhe që ka për vendin tonë njohja e mundshme nga Ukraina për shkak të autoritetit të madh moral që ka aktualisht shkaku i invazionit rus.
Opozita, mediat, shoqëria civile mendojnë ndryshe nga Kurti
Derisa e shtrin argumentin e tij që vendet mos-njohëse të NATO-s duhet ta rishqyrtojnë qëndrimin e tyre për Kosovën në mënyrë që të përfitojë vetë NATO-ja e jo vetëm Kosova ai ndalet te qëndrimet e fundit të kryeministrit Kurti.
“Po, kryeministri Kurti në mënyrë të pamatur po sfidon NATO-n/BE-në/ShBA-në. Por, qëndrimi i Kurtit për veriun – përfshirë provokimet kundër serbëve – po denoncohet në mbarë opozitën kosovare + në media dhe në shoqëri civile: “Kurti e ka gabim që i quan serbët ‘terroristë.” “Kurti po e dëmton Kosovën me veprimet e tij.” – ka shkruar z. Joseph.
Pra, në këtë pikë mund ta shohim se në çfarë vështirësish i ka futur kryeministri Kurti edhe vetë miqtë e Kosovës që lobojnë për interesat e saj.
Çka thotë tutje?
Më tej, z. Joseph tregon se si Serbia në fakt është shtet destruktiv derisa Kosova e ka rrugën e qartë drejt BE-së.
“Në Kosovë, opozita bën thirrje për zgjedhje të reja; Në Serbi, është Vuçiqi – që e di se mund t’i manipulojë rezultatet. Prishtina është e rreshtuar 100% me politikën e jashtme të BE-së; Beogradi ende refuzon ta sanksionojë Rusinë, ende promovon narracion pro-rus, ende e zgjeron tregtinë me Rusinë.” – shkruan ai.
Joseph më tej provon të përkujtojë vendet anëtare të NATO-s edhe pse kishin intervenuar në Kosovë më 1999.
“Në Vilnius, NATO-ja duhet të kujtojë se më 1999 veproi në Kosovë për arsye parimore. Aleanca shtroi rrugën për pavarësinë e Kosovës,” – thotë ai.
Joseph e përmend në shkrimin e tij edhe presidentin amerikan – një tjetër mik i madh i Kosovës – dhe njohurinë e tij nga dora e parë për historinë e fundit Ballkanit.
“Ai dhe ekipi i tij duhet të mbajnë një perspektivë të gjerë derisa diskutojnë komunikatën përfundimtare të Vilniusit. Mes gjërash tjera, ata duhet ta inkurajojnë Ukrainën që ta njohë Kosovën.” – shkruan Joseph.