Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka bërë që disa qytetarë të fillojnë t’i shesin pajisjet e tyre, nga të cilat kanë fituar mijëra euro në vitet e fundit.
Njoftimet për shitje po bëhen kryesisht në grupe të ndryshme në rrjetet sociale, ku zakonisht diskutohet vetëm për çështjen e kriptovalutave.
Çmimet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga 1,500 e deri në 8 mijë euro, varësisht prej pajisjes.
Radio Evropa e Lirë ka komunikuar me disa prej tyre, të cilët në kushte anonimiteti kanë thënë se janë detyruar t’i ndalin pajisjet, të cilat i kanë blerë më shtrenjtë dhe tash po i shesin më lirë.
Njëri prej tyre tha në një përgjigje me shkrim se është detyruar t’i shesë tri pajisjet e tij, pasi nuk dëshiron të veprojë në mënyrë kundërligjore.
“I kam pasur tri pajisje dhe të tria i kam shitur, sepse Qeveria nuk ka dhënë afat se për sa kohë do të ndalohet prodhimi i kriptovalutave. Po të kishte një afat, do t’i ndalonim përkohësisht. Të tri pajisjet i kam shitur 1,500 euro”, tha ai.
Shitblerja e pajisjeve për prodhim të kriptovalutave po bëhet edhe në një grup me qindra qytetarë në aplikacionin ‘Telegram’.
“Kam filluar qe më shumë se 6 muaj të prodhoj kriptovaluta. Për momentin kam një pajisje (Rig 5700xt 6-GPU). E kam blerë 7 mijë euro. Pesë mijë euro i kam marrë kredi për ta blerë. Çdo muaj prej kësaj pajisje i kam fituar 500 deri 600 euro”, tha njëri prej tyre në kushte anonimiteti.
Vendimi i Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, sipas tij, është pak i ngutshëm dhe shpreson që i njëjti të anulohet.
Ai tha se ende nuk ka vendosur nëse do ta shesë pajisjen, pasi që, sipas tij, nuk shpenzon shumë rrymë.