Prindon Sadriu, bashkëshorti i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, njëkohësisht zyrtar diplomatik i Kosovës ka zënë vend në mediat serbe në Beograd pas deklaratës së pamatur e kërcënuese për të cilën i ra pishman dhe e fshiu pastaj, transmeton Gazeta Botapress.
Agjencia serbe e lajmeve Beta ka bërë përmbledhje të reagimeve ndaj deklaratës së djeshme e të fshirë tanimë nga Prindon Sadriu që kishte vlerësuar mediat kosovare si përfaqësues të ‘ndërmarrjes së përbashkët kriminale’.
Gazeta më e vjetër serbe Politika ka raportuar këtë ngjarje duke renditur reagimet e shumta të mediave kosovare si dhe vet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Të martën mbrëma kishte reaguar zotëria i parë Prindon Sadriu pas raporteve për shpenzime të asokohe deputetes Osmani, që ishin në kundërshti me deklaratat e mëhershme të tyre.
Në vitin 2011 Vjosa Osmani kishte shpenzuar 380 euro, në vitin 2012 kishte shpenzuar 1780, në vitin 2013 kishte shpenzuar 1240 dhe në vitin 2014 kishte shpenzuar gjithsej 520. Në total, i bie që Osmani për katër vjet ka shpenzuar 3920 euro. Këto të holla Osmani i kishte marrë për udhëtimin e saj nga Mitrovica në Prishtinë.
Mirëpo rreth një vit më parë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte deklarua se ajo jeton në një banesë 53 metra katror, që nga viti 2012 në Prishtinë.
“Nuk kam shtëpi në Marigona Rezidence. Janë të ndara. Unë jetoj në një banesë që ka neto 53 metra katror. Jetoj aty që nga viti 2012. Unë dhe bashkëshorti im punojmë që 22 vite, në Kosovë, në SHBA dhe në Australi”, ishte shprehur Osmani./Botapress.info/