Në betejën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për ta bindur botën se emisari i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak po punon në koordinim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq kundër Kosovës, presidentja Vjosa Osmani s’është përfshirë. Ajo po qëndron në Neë York, atje ku janë edhe udhëheqësit botërorë, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Atje u takua edhe me kryediplomatin europian, Josep Borrell dhe me emisarin Miroslav Lajçak, por deri tash nuk e tha asnjë fjalë rreth propozimit të BE’së për implementimin e marrëveshjes që e refuzoi Kryeministri.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron këtë javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ku ende nuk ka folur për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti të hënën foli për një skenar të koordinuar të emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Osmani pati mundësinë të fliste me ndërmjetësin sllovak në Neë York. Ajo u takua edhe me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian, Josep Borrell në drekën tradicionale të organizuar nga ai me liderët e Ballkanit Perëndimor.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2023/09/376280848_854057656078775_1677968840115621630_n-1-902x600.jpg)
Osmani nuk u përfshi në akuzat e Kurtit. Të paktën publikisht nuk e tha asnjë fjalë për këtë çështje dhe Presidenca nuk transmetoi ndonjë qëndrim të saj as për propozimin e BE-së për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ajo zgjodhi të flasë vetëm për masat ndëshkuese e BE-së, të cilat s’janë hequr ende.
“Presidentja Osmani shtroi nevojën e përshpejtimit të procesit dhe marrjen e vendimeve të nevojshme nga ana BE-së për integrimin e Kosovës, duke i dhënë statusin e vendit kandidat, si dhe anëtarësimin e shteteve të rajonit bazuar në përmbushjen e kritereve. Ajo po ashtu ka theksuar se masat e BE-së ndaj Kosovës përveç që nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut, ato, nëpërmjet pezullimit të projekteve të BE-së, më së shumti prekin interesat dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Presidencës për takimin e organizuar nga Borrell.
Osmani citohet të ketë thënë se Kosova është palë konstruktive dhe e përkushtuar për paqe e stabilitet, “e bashkërenduar tërësisht me politikat e BE-së edhe sa i përket sanksioneve dhe me procese reformuese të rëndësishme”.
“BE duhet t’i shpërblejë shtetet të cilat janë të bashkërenduara me BE dhe në të njëjtën kohë kanë ndërmarrë reforma, sidomos në sundimin e ligjit, ekonomi dhe standarde europiane”, theksoi Osmani.
Në Facebook, vetë Osmani shkroi se në takim tha se “dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është interes strategjik”. Nga ky takim, Presidentja dërgoi edhe një fotografi me emisarin Lajcak dhe presidentë tjerë nga rajoni.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2023/09/380717903_854057862745421_6476574176011202576_n-902x600.jpg)
Osmani atje i takoi edhe ish-presidentin e SHBA-së, Bill Clinton dhe gjeneralin e pensionuar amerikan, Wesley Clark.
“Dy heronj, një histori, Kosova në mes!”, shkroi ajo në Facebook, duke publikuar një fotografi.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2023/09/378144727_853877232763484_1431059214550958086_n-562x600.jpg)
Ndërsa Osmani s’u mor shumë me zhvillimet e fundit në dialog, Kurti tha të hënën në një konferencë për media se në takimin e fundit me Vuçiqin në Bruksel të enjten, presidenti serb ishte koordinuar me ndërmjetësin Lajçak në një skenar kundër Kosovës.
“Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës”, tha Kurti.
Ai tregoi se e kishte prezantuar propozimin e tij për zbatimin e marrëveshjes, ndërsa tha se Vuçiq dhe Lajçak i reaguan “me të njëjtin mendim”, duke e shpërfillur.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2023/09/ZKP-ZKM-18-9-2023-3-900x600.jpg)
Por Perëndimi e hoqi çdo dilemë se Lajçak po punonte personalisht me Vuçiqin, duke konfirmuar mbështetjen për të dhe për planin e BE-së për zbatimin e marrëveshjes, të cilin Kurti e refuzoi në Bruksel.
Borrell, i cili e ndërmjetësoi takimin bashkë me Lajçak, tha se Kurti s’ishte i gatshëm të ecte përpara, ndryshe nga Vuçiqi, për të cilin tha se “e ka pranuar propozimin” e BE-së për zbatim.
Propozimi i BE-së e ka si bazë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nisja e procesit negociues rreth statutit të tij u vendos në krye të hapave për implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Bashkimi Europian të martën e lëshoi një deklaratë zyrtare, ku përmes Borrellit i bën thirrje Kosovës që ta nisë pa vonesa të reja dhe pa asnjë parakusht punën për themelimin e Asociacionit.
“BE-ja u kërkon palëve të angazhohen me konstruktivitet dhe mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejme, që gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për t’i zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e kaluara të Dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejmë”, thuhet në deklaratën e bllokut europian.
Po ashtu, aty shprehet mbështetja e plotë e 27 vendeve anëtare të BE-së për Lajçak.