Osmani tha se në këtë takim tregoi se kanë biseduar edhe për dialogun e Kosovës me Serbinë, ku tha se ua ka bërë të qartë për vijat e kuqe të Kosovës.
“Sa i përket kryeministrit të Greqisë e kam takuar edhe dy herë më herët në takime bilaterale të detajuara për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra është hera e tretë që po e takoj, ndërkaq kryeministrin e Sllovakisë është hera e parë që e takoj. Këto janë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, por të dyja kanë qëndrime konstruktive sepse asnjëherë nuk e kanë bllokuar rrugën evropiane të Kosovës”, është shprehur presidentja.
Osmani, siç ka njoftuar televizioni publik është shprehur se presin që takimi i 13 tetorit ku takohet grupi punues për viza do të dëgjohet nga të gjitha këto shtete duke na përkrahur zëshëm, pavarësisht çfarë qëndrimi kanë sa i përket pavarësisë.
“Shpresojmë, natyrisht jemi optimist por edhe të kujdesshëm sa i përket atij takimi, po nuk përfundon gjithçka aty se ka shumë hapa të tjerë siç e dini deri në hyrjen në fuqi. Çka është me rëndësi është që sot një rivlerësim i Komisionit Evropian, i është dërguar të gjitha shteteve anëtare është jashtëzakonisht pozitiv, dhe në të njëjtën kohë ky rikonfirmimim i KE-së i njofton të gjitha shtete anëtare edhe për të gjitha reformat që janë kryer këtë 1 vit e gjysme duke i vlerësuar ato si reforma pozitive”, tha ajo.
Osmani bëri me dije se në të gjitha takimet që ka pasur, homologët e kanë potencuar se sa shumë i vlerësojnë reformat që Republika e Kosovës i ka ndërmarr përgjatë këtij një viti e gjysmë.
“Për shtetet skeptike që kanë qenë më herët sa i përket vizave, reformat kanë qenë determinuese në vendimin e tyre dhe këtë e kanë thënë secili prej tyre në këto takime”, deklaroi Osmani.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Pragë, në kuadër të samitit të parë të Komunitetit Politik Evropian, ka zhvilluar një takim trilateral me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.
Presidenca njofton se në këtë takim Osmani ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për angazhimin e tyre për liberalizim të vizave për Kosovën, duke përmendur rëndësinë vendimtare që ky proces të përfundojë gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së.
“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Francën dhe Gjermaninë, si aleatë të fuqishëm të Kosovës në kontinentin evropian”, thuhet në njoftim.
Në këtë kontekst, Osmani ka përsëritur qëndrimin se “anëtarësimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri për të garantuar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon”.
Presidenti francez, Emmanul Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive në këtë proces dhe ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për përpjekjen e tyre për ta intensifikuar procesin e dialogut.
Osmani gjatë vizitës në Pragë ka takuar edhe kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, etj.
Ndryshe, në Pragë të Republikës Çeke janë ftuar krerët e 44 shteteve evropiane. Ftesë nuk kanë marrë Rusia dhe Bjellorusia.