Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë mbledhur sot në seancë plenare, ku po shqyrtojnë Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. E ky projektligj ka gjetur mbështetjen e të gjitha partive politike, pa dallim.
Pozitë e opozitë janë bërë bashkë për t’i dhënë dritën e gjelbër këtij Projektligji në leximin e parë.
Abelard Tahiri, kryesues i Komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore në shqyrtimin e parë të projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme ka thënë se ky është prej ligjeve më të rëndësishëm në vend.
Tahiri tha se nga 130 nene gjithsej, 92 janë rishkruar apo rihartuar tërësisht.
Kurti ‘non grata’? Rama: Po qarkullojnë dokumente, është në lojë fati i Kosovës
“Në projektligjin për zgjedhjet nacionale prej 130 neneve gjithsej, 92 janë rihartuar apo shkruar komplet, pjesa tjetër ka pësuar ndryshime. Projektligji përbëhet prej 21 kapitujve, derisa ka trajtuar rekomandimin e misionit të vëzhguesve të BE-së dhe faza e dytë rekomandimin e Grupeve Parlamentare. Nga BE-ja i kemi trajtuar 40 rekomandime që kanë të bëjnë me zgjedhjet nacionale”, tha ai.
Po ashtu në këtë reformë zgjedhore është shtuar numri i deputetëve që do të votohen për Kuvendin e Kosovës, nga 5 në 10 kandidatë.
Ai ka thënë se përmes këtij ligji, vendi do të afrohet edhe më shumë me diasporën, duke u mundësuar atyre mënyra më të lehta për të votuar.
Përkrahjen për këtë Projektligj e ka dhënë edhe LDK-ja.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se LDK-ja e mbështet Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Bajrami ka thënë se për këtë projektligj ka pasur konsensus të plotë dhe se janë marrë parasysh të gjitha adresimet e organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Duke marrë parasysh që Komisioni për reformë zgjedhore ka arritur t’i adresojë të gjitha rekomandimet e BE, OSBE, të gjitha organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat vite me radhë janë marrë me mbikëqyrjen e procesit zgjedhor, ne si komision kemi arritur që të kemi një konsensus të plotë. Duke marrë parasysh faktin që është bërë një lehtësim i votimit të mërgatës sonë, vota preferenciale nga 5 në 10, riorganizimi i PZAP-së dhe shumë ndryshime tjera, grupi parlamentar i LDK-së e mbështet projektligjin”, ka thënë Bajrami.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shprehur falënderimin e tij për të gjithë ata që kanë kontribuuar që kjo reformë zgjedhore të përfundojë me sukses.
“Falënderoj komisionin dhe miqtë ndërkombëtar për kontributin e tyre profesional. Falënderoj OSBE-në dhe shoqërinë civile për qëndrimin kritik. Dua të falënderoj edhe KQZ-në për ndihmën e jashtëzakonshme me analiza e studime profesionale. Përpjekjet për reformë zgjedhore patën filluar menjëherë pas zgjedhjeve të 2010-s që patën përfunduar me parregullsi të shumta që u patën kategorizuar nga ndërkombëtarët si zgjedhje me vjedhje industriale të votave. Pas secilit proces zgjedhor ka pasur raporte që kanë shpërfaqur probleme e mangësi nga misione të bashkimit evropian. Raporti i BE-së më 2022 adresoi 23 rekomandime që përfshinin domosdoshmërinë e ndryshimeve ligjore”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, organizatat e shoqërisë civile i kanë drejtuar një letër publike deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me reformën zgjedhore.
Organizatat e shoqërisë civile, Instituti Demokraci për Zhvillim, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Organizata Çohu, po kërkojnë që Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme të mos trajtohet në procedura të përshpejtuara.
Sipas tyre Projektligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme, i cili të enjten është duke u shqyrtuar në Kuvendin e Kosovës, përveç teknikaliteteve, përmban edhe ndryshime, të cilat ata besojnë se, në njërën anë e cenojnë integritetin zgjedhor, e në anën tjetër nuk adresojnë çështje të cilat do ta përmirësonin nivelin e përfaqësimit demokratik në Kosovë.
Në letrën që përkrahet nga këto organizata janë listuar edhe disa nga ndryshimet që sipas tyre janë më problematike e të cilat thuhet se kanë të bëjnë me integritetin e kandidatëve, pavarësinë e KQZ-së dhe votat e kandidatëve.