Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit, por nuk e shet. Pavarësisht sasisë së madhe të rezervave, vendi vazhdon të importojë nga shtetet tjera, madje edhe nga Serbia, me çmim shumë më të lartë. Një mundësi të artë për të shitur thëngjill e kishte para një viti, kur çmimet arritën në nivele rekorde pas fillimit të luftës në Ukrainë, por s’e shfrytëzoi. Një ankand për shitjen e një sasie është shpallur tek tash nga KEK. 50 mijë tonë thëngjill po planifikohen të shitën për mbi 2 milionë euro.
Sibel Halimi mohon se dha dorëheqje nga LDK-ja: Angazhimin do ta vazhdoj me përkushtim të plotë
Një postim i deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për thëngjillin duket se e ka vënë në lëvizje Korporatën Energjetike të Kosovës.
Ditën që Hoti tha se bizneset private po detyrohen të importojnë qymyr nga jashtë edhe pse Kosova “fle” mbi të dhe pyeti se pse nuk po eksportohet kjo pasuri tash kur ka kërkesë si pasojë e krizës energjetike, KEK ka nxjerrë në shitje 50 mijë tonelatave thëngjill.
Ankandi do të mbahet më 22 mars, në orën 13:00. Vlera e parashikuar për këtë ankand është 2 milionë e 660 mijë e 900 euro dhe kriter për dhënie të kontratës, është çmimi më i lartë.
Kontrata është e ndarë në dy lote. Në lotin e parë parashihet shitja e 35 mijë tonelatave thëngjill me çmim të vlerësuar 1 milion e 862 mijë e 630 euro, derisa në të dytin 15 mijë tonelata me çmim të vlerësuar 798 mijë e 270 euro.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2023/03/tenderi.png)
Zëdhënësi i KEK, Skënder Bucolli i ka thënë Gazetës Express se ky ankand ka target industritë. Në të ardhmen thotë se po planifikojnë që të sigurojnë një sasi për shitje me pakice edhe për bizneset dhe amvisëritë.
“Sa i përket shitjes së thëngjillit për këtë vit, ju njoftojmë se KEK ka të shpallur ankandin publik për shitjen e thëngjillit në dy llote: I – sasia prej 35.000 tonë. Dhe II – sasia prej: 15.000 tonë. Lidhur me këtë, ju bëjmë me dije se ankandi publik është i hapur për të gjithë OE të interesuar dhe për target ka industritë. Përndryshe, KEK planifikon që në të ardhmen po ashtu të sigurojë një sasi (shitje me pakicë, njëjtë si vitin paraprak) për biznese dhe amvisëri. Për më tepër, për dy llotet kriter është çmimi më i lartë i ofruar”, thuhet në përgjigjen e Bucollit.
Në dosjen e publikuar në e-prokurim, tregohet edhe se nga do të nxjerret kjo sasi e thëngjillit.
“Dy blloqet e planifikuar për eksplantim gjenden në pjesën veri lindore te sektorit te Sitnicës dhe kanë afërsisht sasinë 50.000 t qymyr dhe masat të djerrinës përafërsisht 12.000 – 14.000m3 në mungesë te shpimeve nuk dihet saktë kontakti djerrinë – qymyr ne bllokun e parë ku përfshihet Grebeni (pjesa jashtë profilit te hapur) dhe ku i njëjti bllok përfshin edhe një pjese te rrugës për hyrje / dalje për kasetat e TC, Kosova B.”, thuhet në dosje.
E gjithë puna për nxjerren e kësaj sasie pritet të zgjasë 50 ditë.
“Dinamika e realizimit te sasive se pari do te fillohet me lot-in 1 sasia prej 35,000 ton. Pas realizimit te sasive nga lot-i 1 do te filloje realizimi i lot-it 2 ne sasi prej 15,000 ton”, thuhet në dokument.
Vjet u importua thëngjill në vlerë mbi 7 milionë euro
Sipas të dhënave që Dogana e Kosovës i ka ofruar Gazetës Express, vjet ishte importuar thëngjill në vlerë mbi shtatë milionë euro.
Krahasuar me vitin paraprak, importi ishte rritur.
Shtetet prej të cilave ishte blerë thëngjilli ishin Bosnia dhe Hercegovina, Italia, Kazakistani, Mali i Zi, Polonia, Turqia dhe Serbia.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2023/03/tab-1000x286.png)
Për çmimin me të cilin është importuar thëngjilli dhe importin në përgjithësi ka kritikuar edhe deputeti Hoti.
Sipas tij, bizneset kosovare po blejnë qymyr me çmim tri herë më shtrenjtë nga shtetet tjera.
“Për kur po e ruajmë qymyrin? Çfarë strategjie është kjo? Pse duhet bizneset të blejnë qymyr tri herë më shtrenjtë nga Serbia e nga vendet e tjera? Pse të mos eksportohet qymyri kur tani ka kërkesë nga disa vende për shkak të krizës energjetike?”, ishin pyetjet që parashtroi Hoti.
Negociatat e gjata me Maqedoninë e Veriut
Interesim për blerje të thëngjillit kishte shfaqur Maqedonia e Veriut, në fund të vitit 2021. Kishin nisur edhe negociatat për këtë punë.
Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi ishte takuar me homologen kosovare, Artane Rizvanolli dhe drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, për të diskutuar për këtë punë.
Përmes një postimi në Facebook, Bekteshi kishte thënë se kanë filluar negociatat për importimin e thëngjillit nga Kosova..
“Për ta tejkaluar çdo krizë sigurisht se kërkohet bashkëpunim dhe me ministren Rizvanolli u dakorduam që bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm ta thellojmë edhe më shumë në të ardhmen dhe ta tejkalojmë sa më shpejtë edhe sfidën me krizën energjetike! Nga sot ne filluam edhe negociatat për importin e thëngjillit nga Republika e Kosovës, ku paraqitëm edhe një draft verzion të Memorandumit për bashkëpunim! Shpresoj që pas shqyrtimit të të gjithë kapaciteteve dhe nevojave të të dyja vendeve të arrijmë deri te një marrëveshje konkrete me çka do të ndikojë drejtpërdrejt në tejkalimin e krizës energjetike në të dy vendet”, kishte shkruar Bekteshi.
Por që kontrata s’ishte lidhur asnjëherë ose së paku publikisht s’është njoftuar asnjëherë për diçka të tillë.
Mundësia e artë e para një viti që e humbi Kosova për ta shitur thëngjillin
Pas nisjes së luftës në Ukrainë, çmimi i thëngjillit arriti në nivele rekorde. Kosova ka shumë rezerva të thëngjillit dhe do të mund të shfrytëzonte këtë situatë që ta shiste me çmim shumë të leverdishëm, por që s’veproi kështu.
Për këtë opsion ishin deklaruar njohësit e fushës.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajramin, kishte deklaruar se s’ka asgjë të keqe që Kosova t’iu shesë thëngjill shteteve të tjera, nëse ka kapacitete të mjaftueshme të mihjes.
Madje, kishte thënë se shitja do të ishte vendim i duhur.
Paratë që do të merreshin nga shitja e thëngjillit, ajo kishte sugjeruar të përdoren për ta lehtësuar barrën e krizës energjetike në vend.
“Tani që Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dihet botërisht, por kapacitetet e mihjes mund të jenë pengesë, për këtë pyetje përgjigjën adekuate duhet ta japë ME. Nëse kemi kapacitete të mjaftueshme të mihjes, nuk ka asgjë të keqe që Kosova të shesë thëngjill me çmime të leverdishme dhe këto të hyra t’i përdorë për të lehtësuar barrën e krizës energjetike në vend.
Ne e dimë që jemi pak hapa larg kur duhet të fillojmë edhe pagesën e taksës për emetimin e karbonit, kur për ne thëngjilli do të bëhet pothuaj i papërballueshëm për shfrytëzim andaj shitja në këtë moment do të ishte vendim i duhur”, kishte thënë Bajrami për Express.
Edhe ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, kishte thënë se s’ka kurrfarë pengese për shitjen e thëngjillit nëse ka kërkesa.
Ai kishte përmendur edhe kërkesën që Maqedonia e Veriut e kishte bërë në fund të vitit të kaluar për blerje të linjitit.
“Ka pasë edhe kërkesa nga Maqedonia për blerje te lignitit por asnjëherë nuk e di pse nuk është fillu me shitjen. Ndoshta nuk ka qenë e përgatitun miniera për nxjerrje? Nuk ka kurrëfarë pengese për shitje, nëse ka kerkesa. Tash ish dashtë me i marrë në përgjegjesi ata që e penguan dhe e degraduan realizimin e Projektit “Kosova C” i cili ka qenë i gatshem për fillim të ndërtimit qysh në fillim të 2008”, kishte thënë Shatri.
Kundër kësaj ideje kishte dalur ish-ministri i Energjetikës, Ethem Çeku. Ai kishte një sugjerim tjetër.
“Për bindjen time, momenti më ideal i ka ardh Kosovës në këtë fatkeqësi që po ndodhë mes Ukrainës dhe Rusisë dhe me ndërprerjen dhe ndërhyrjen e Gazpromit dhe përdorimin e energjisë për diplomacinë e vendeve të evropës perëdimore, Kosovës i ka ardh rasti më i mirë për të rikthyer projektin e ndërtimit të blloqeve të reja të energjisë, një projekt që ka qenë i dizajnuar. Kosova mund ta afron tani mundësinë për ndërtimin e termocentraleve të reja, të cilat mund të ndikojnë në zvogëlimin e mungesës së energjisë në tregjet e Evropës dhe njëkohësisht që ta rrit këtë profit. Unë jam për idenë që Qeveria e re Kosoëvs, kjo qeveri duhet ta shtyjë ndërtimin e projektit të termocentralit, që ka qenë Kosova C”, kishte deklaruar Çeku.
Ai propozonte që Qeveria të fillojë menjëherë negociatat me kompanitë e mëdha për t’i ndërtuar termocentralet e reja në vend.