Presidenti rus, Vladimir Putin, mori pushtetin më 31 dhjetor 1999, e që prej asaj kohe, udhëheqësi i këtij vendi ka qenë një nga faktorët e mosfunksionimit të sistemit global dhe shkatërrimit të rendit ndërkombëtar liberal. Ish-agjenti i spiunazhit të KGB-së, donte të kthente kohën pas: të ringjallte madhështinë cariste të Rusisë, të rivendoste fuqinë dhe kërcënimin e Bashkimit Sovjetik, përpara shpërbërjes së tij në 1991, raporton A2CNN.
Ky revanshist rus është bërë udhëheqësi ndërkombëtar më përçarës i shekullit të 21-të. Nga Çeçenia në Krime, nga Siria në Salisbury, Putin gjithmonë ka tentuar të nxisë konflikte. Herë pas here, është përpjekur edhe të ripërcaktojë hartën e Evropës, si dhe të dobësojë Amerikën.
Putini erdhi në pushtet në një kohë kur Shtetet e Bashkuara ishin superfuqia e vetme në botë. Veçanërisht në ditët e para të udhëheqjes së tij, nuk ishte shumë e kuptueshme qasja që ai do të ndiqte, por në pak kohë gjërat u qartësuan: Putini po përpiqej të rrënonte historinë dhe të pengonte demokratizimin me çdo kusht, edhe me humbje jetësh njerëzore.
Putin dhe Presidentët e SHBA-së
Presidentët e njëpasnjëshëm të SHBA-së janë ndeshur me faza të ndryshme të ecurisë politike të liderit rus. Kur Putin erdhi në pushtet, Bill Clinton, po përpiqej të nxiste zgjerimin e NATO-s deri në kufijtë e Rusisë. Siç paralajmëroi në atë kohë George F Kennan, arkitekti i famshëm i strategjisë së kontrollit të Luftës së Ftohtë të Amerikës: “Zgjerimi i NATO-s do të ishte gabimi më fatal i politikës amerikane në të gjithë epokën e pas Luftës së Ftohtë”.
![](https://a2news.com/wp-content/uploads/2022/03/123522710_clinton_976getty.jpg)
Më vonë, George W Bush e gjykoi kështu homologun e tij rus: “E pashë në sy. Arrita të kuptoja shpirtin e tij”. Bush gabimisht mendoi se mund ta “mashtronte butësisht” Putinin në rrugën demokratike. Por edhe pse Bush vizitoi Rusinë më shumë se çdo vend tjetër – lideri rus gjithsesi po shfaqte gjithnjë e më shumë tendenca të rrezikshme despotike.
Në vitin 2008 – viti i fundit i Bushit si president – Putin pushtoi Gjeorgjinë, në atë që ai e quajti një “operacion për vendosjen e paqes”. Kremlini argumentoi atëherë se ishte hipokrite që Uashingtoni të ankohej për këtë shkelje të ligjit ndërkombëtar, pasi Bush kishte pushtuar Irakun.
![](https://a2news.com/wp-content/uploads/2022/03/123522705_bush_976getty-1.jpg)
Barack Obama u përpoq të riformulonte marrëdhëniet SHBA-së me Rusinë. Por Putini hamendësonte se Amerika, pas luftërave të saj të gjata në Afganistan dhe Irak, nuk donte më të kontrollonte botën. Kur Obama refuzoi në vitin 2013 të zbatonte paralajmërimin e tij të vijës së kuqe kundër Bashar al-Assad – diktatori sirian që përdori armë kimike kundër popullit të tij – Putin pa një dritë jeshile. Duke ndihmuar Assadin të kryente luftën e tij vrastare, ai zgjeroi sferën e ndikimit të Moskës në Lindjen e Mesme, kur Shtetet e Bashkuara donin të tërhiqeshin nga rajoni. Një vit më pas, ai aneksoi Krimenë dhe vendosi një pikëmbështetje në Ukrainën lindore.
Pas largimit të Obamës, Putin u përpoq të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 2016-s, me shpresën se Hillary Clinton, një armike për një kohë të gjatë, do të mposhtej dhe se Donald Trump, do të fitonte. Manjati i pronave të Nju-Jorkut nuk e fshehu admirimin e tij për Putinin, çka duket se i dha hov më tej presidentit rus. Trump kritikoi publikisht NATO-n, dobësoi sistemin e aleancës amerikane të pasluftës dhe u bë një figurë kaq polarizuese, saqë e la Amerikën më të ndarë politikisht se në çdo kohë që nga Lufta Civile.
Joe Biden, ashtu si George Bush, është një kundërshtar i Luftës së Ftohtë, i cili ia ka kushtuar presidencën e tij mbrojtjes së demokracisë brenda dhe jashtë vendit. Duke kërkuar të rivendosë rolin tradicional të Amerikës të pasluftës si lider i botës së lirë, ai ka kërkuar të mobilizojë komunitetin ndërkombëtar, ka ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe ka miratuar regjimin më të ashpër të sanksioneve të shënjestruar ndonjëherë kundër Putinit.
![](https://a2news.com/wp-content/uploads/2022/03/Biden-Putin-1082x720.jpg)
Putin dhe Liderët Perëndimorë
Në Bruksel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka qenë një forcë e vërtetë shtytëse për të vepruar kundër regjimit dhe veprimeve agresive të Putinit. Për herë të parë në historinë e BE-së, u mor vendimi për të financuar dhe blerë armë për një komb të sulmuar, një angazhim që përfshin jo vetëm municione, por edhe avionë luftarakë.
Bashkatdhetari i saj, kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz, gjithashtu ka treguar më shumë vendosmëri në marrëdhëniet me Putinin sesa paraardhësja e tij Angela Merkel. Berlini ka dërguar sisteme antitanke dhe kundërajrore në Ukrainë (duke i dhënë fund politikës së mosdërgimit të armëve në zonat aktive të luftës), pranoi bllokimin e Rusisë nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT, dhe madje u zotua të shpenzojë 2% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes.
Në një situatë kaq kritike ku gjendemi sot, duket se udhëheqësit evropianë e kanë kuptuar se nuk mund të mbështeten më kaq shumë tek Uashingtoni për të mbrojtur demokracinë. Edhe gjatë fundit të Luftës së Ftohtë, Uashingtoni u ka bërë thirrje vendeve evropiane që të bëjnë më shumë për të kontrolluar fqinjët e vet, diçka që nuk arritën ta bënin kur shpërbërja e ish-Jugosllavisë ndezi luftën në Bosnjë.