Tre policët e rrëmbyer nga forcat e Serbisë – Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shem Mustafa – kanë mbërritur në Kosovë. Por, ata nuk janë pritur nga qeveritarët përkundër gëzimit të shprehur në publik për lirimin e tyre.
Tre policët u liruan sot që të mbroheshin në liri nga një gjykatë në Kralevë. Serbia po e cilëson këtë vendim si “jopolitik”. Por, në anën tjetër, shumë akterë politikë në Kosovë po falenderojnë partnerët ndërkombëtarë – ShBA-në dhe BE-në – për presionin e bërë ndaj Serbisë për lirimin e tyre.
Gazetarja e Nacionales që ndodhet në Merdarë ka raportuar se tashmë të tre policët janë liruar.
Por, fatkeqësisht del se policët nuk janë pritur në Merdarë nga ana e ndonjë zyrtari të lartë të Qeverisë Kurti.
“Ata i priti Baki Kelani,” – tha gazetarja. Kelani është zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës.
Nacionale do të provojë që të kontaktojë me policët për të marrë qëndrimet e tyre në lidhje me kidnapimin që iu ndodhi më 14 qershor.
“Pse asnjëri nuk dha intervistë?”
Një situatë e ngjashme kishte ndodhur në Kosovë edhe në vitin 2012. Dy policë të Kosovës ishin rrëmbyer nga Serbia në zonën kufitare.
Opozitari i asokohshëm dhe kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, kishte pasur qasje mjaft poshtëruese ndaj tyre.
“Si bëhet që asnjëri prej tre policëve që u shtrinë ratë në Dumnicë nuk dha intervistë? Si bëhet që asnjë shok i tyre nuk mori hak?” – ishte shprehur në vitin 2016 Albin Kurti.
Madje, ai çuditej se si asnjëri prej tyre nuk kishte dhënë intervistë.
“Jau kanë dhunuar tre policë në Dumnicë. Xhandarmëria serbe jau ka shtrirë në dushk të malit, ratë. Pse asnjëri prej tyre nuk dha intervistë?” – pyeste Kurti në po të njëjtën paraqitje televizive.
Deri tash, asnjëri nga tre policët e rrëmbyer më 14 qershor 2023 nuk ka dhënë intervistë.
Kurti, sot
Kryeministri Kurti kishte vizituar familjet e tre policëve të rrëmbyer ditë më parë. Ai aktualisht po qëndron në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një postim në Twitter, z. Kurti u shpreh se ishte i lumtur që ata ishin kthyer te familjet e tyre, derisa kërkoi që kjo sjellje e Serbisë të dënohej.