Zyrtarët policorë të Kosovës janë sulmuar mëngjesin e sotëm në veri të vendit.
Një patrullë e policisë është sulmuar me armë zjarri në fshatin Zupçe të Zubin Potok.
E pas kësaj ngjarje ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq.
Petkoviq tha se dënon aktin, duke theksuar se ky sulm nuk lidhet asgjë me serbët.
“Fuqishëm e dënojmë këtë sulm mbi Shërbimin Policor të Kosovës, sikurse edhe sulmet e mëparshme të cilat e rrezikojnë paqen dhe stabilitetin”., tha ai.
“Rritja e tensioneve, veçanërisht në veri, nuk ka ASGJË të bëjë me serbët. Por, ka të bëjë me nevojën për të njollosur ata. Pyeteni veten, kush përfiton nga kjo?”.shtoi Petkoviq.
Ndryshe sulmi i sotëm ndaj zyrtarëve policorë ishte me armë zjarri, por për fat të mirë ata shpëtuan pa lëndime falë veturës së blinduar.
Gjatë muajit që po lëmë pas pati sulme të njëpasnjëshme ndaj policëve në veri.
Si fillim ata ishin sulmuar me gurë, më pas ishin vendosur iriqë metalikë në rrugën ku ata qarkullojnë rregullisht.
Pas kësaj në drejtim të policëve pati granata ushtarake si dhe të shtëna me armë zjarri të llojit AK-47.