E ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar më 5 nëntor se drejtori i saj, Petar Petkoviq, ka biseduar me ambasadorin gjerman, Thomas Schieb, dhe se e ka informuar atë “për problemet në zbatimin e marrëveshjeve për energji të viteve 2013 dhe 2015, dhe për obligimet e Prishtinës përkitazi me regjistrimin e dy kompanive serbe dhe licencimin e tyre për furnizim, shpërndarje dhe shitje të energjisë”.
Petkoviq ka theksuar se për të gjitha problemet në atë proces e ka informuar Bashkimin Evropian, si ndërmjetës në dialog dhe si garantues të zbatimit të marrëveshjes, ka njoftuar kjo zyrë.
“Është e rëndësishme që të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë të kuptojnë seriozitetin e situatës në të cilën aktualisht gjendemi, dhe të kuptojnë që veprimet e njëanshme të Prishtinës mbi këtë çështje mund të rrezikojnë situatën e sigurisë”, ka theksuar Petkoviq.
Qytetarët e komunave në veriun e Kosovës – Mitrovia e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani – që nga viti 1999 nuk paguajnë rrymën dhe ujin.
Vlerësohet se borxhi për rrymën e shpenzuar në këto komuna është 8 milionë euro në vit.
Nga viti 1999 deri në vitin 2017, këtë borxh e kanë paguar qytetarët e Kosovës, nga komunat tjera, duke pasur faturat e tyre më të shtrenjta për 3.5 për qind. Pas ankesave, Gjykata e Apelit ka vendosur të pezullojë këtë praktikë, sepse ka qenë e paligjshme.
Zyrtarë të sektorit të energjisë e kishin të pamundur qasjen në veri të Kosovës dhe nuk arritën të lexojnë njehsorët, t’ua dërgojnë faturat qytetarëve në veri dhe as të mbledhin të hyrat për energjinë e shpenzuar atje, percjell Botapress.info