Që nga data 30 e muajit të kaluar, Policia e Kosovës është pa Drejtor të Përgjithshëm dhe si e tillë vazhdon të drejtohet nga ushtruesi i detyrës.Pikërisht me këtë datë, Samedin Mehmeti ka dhënë dorëheqje nga posti që mbante në Policinë e Kosovës.
Kjo ishte konfirmuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili deklaroi se ka pranuar kërkesën për dorëheqje nga Mehmeti.
E sipas këtij të fundit, dorëheqja e Samedin Mehmetit, erdhi për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë.
“Tashmë kryeministri Kurti ka liruar nga detyra Mehmeti dhe ka caktuar si ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm Fehmi Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës”, thuhej tutje në njoftimin e Sveçlës.
E pas dorëheqjes së Mehmetit, postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës e synojnë pesë kandidatë.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Po ashtu nga kjo ministri është konfirmuar se si kandidate për të drejtuar Policinë e Kosovës është edhe një zyrtare nga komunitetet.
E siç mëson lajmi.net bëhet fjalë për Sllagjana Stojanoviq, e njohur si shefe e administratës në rajonin e Mitrovicës.
“Në konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës/Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë aplikuar pesë (5) kandidatë, dhe një kandidate nga këta është nga komunitetet jo shumicë në Kosovë”.
Përpos Stojanoviq, këtë post e synojnë edhe Gazmend Hoxha-Drejtori i Departamentit të Operacioneve, Bahri Shala, Drejtor aktual i Teknikës Kriminalistike, Fatos Haziri- ish udhëheqës i Departamentit Kundër Krimit të Organizuar si dhe Granit Fetahu, Drejtor për Sigurimin e Objekteve dhe Personaliteteve.
Të gjithë emrat e lartcekur janë në kandidim për Drejtor të Policisë së Kosovës, e të cilët pritet që të intervistohen e më pas të emërohet zyrtarisht nga institucionet drejtuese të vendit.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë dhënë detaje se kur pritet të bëhet intervistimit, por është theksuar se sa i përket intervistimit dhe përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës “do të bëhet konform legjislacionit përkatës në fuqi”.
Ndryshe në bazë të Nenit 37 për Policinë e Kosovës, theksohet se kandidatët për pozitat e Drejtorit të Policisë së Kosovës përzgjidhen dhe propozohen nga komisioni, i cili themelohet nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ligjërisht, drejtori emërohet për një periudhë kohore prej pesë vjetësh, në mundësi vazhdimi për çdo pesë vjet nga autoriteti që e ka emëruar.
“Komisioni i propozon ministrit kandidatët për emërim në pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Policisë,ministri në njërën nga mbledhjet e Qeverisë i propozon kandidatin Qeverisë për këtë pozitë, ndërkaq Qeveria i rekomandon kryeministrit kandidatin për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë e emëron Kryeministri”.
Ndryshe në kuadër të Policisë së Kosovës ndër vite ka patur emra të shumtë që e kanë drejtuar atë.
Disa prej tyre janë dorëhequr, e disa të tjerë janë shkarkuar.
Kësisoj ndryshimet e njëpasnjëshme në Policinë e Kosovës, lënë në pikëpyetje se kush do ta drejtojë atë këtë herë.
Policia e Kosovës vazhdon të jetë një ndër institucionet më të rëndësishme në vend, dhe ndër më të besueshme nga qytetarët sa i përket sigurisë.
Para Samedin Mehmetit, në krye të Policisë së Kosovës ishte Rashit Qalaj, i cili më pas ndërroi krejtësisht profesion duke kaluar kështu në parti politike, atë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Samedin Mehmeti ishte emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës më 13 janar 2021. Mehmeti kishte qenë ushtrues i detyrës së drejtori të Policisë, pas shkarkimit të Qalajt.
Mehmeti u emërua Drejtor i Policisë së Kosovës gjatë kohës sa vendi po drejtohej nga kryeministri Avdullah Hoti, e ministër i Punëve të Brendshme ishte Ekrem Mustafa.
Mehmeti kishte nisur punën fillimisht si polic patrullues në stacionin policor “Veriu”, më pas si hetues i vrasjeve në regjionin e Prishtinës.
“Ma kepute shpirtin moj Djellza”, shoqja e saj nuk po mund ta besoj se ajo ka vdekur
Në nivelin e menaxhimit operacional, me gradën Toger ka shërbyer në pozitën e zëvendëskomandantit në stacionin policor “Jugu” dhe me gradën Kapiten ka shërbyer Komandant i stacionit policor “Veriu” në Prishtinë.
Derisa Qeveria e Kosovës të bëjë emërimin e ri të Drejtorit të Përgjithshëm të Policës së Kosovës, ky institucion vazhdon të drejtohet nga u.d Fehmi Hoti./Botapress.info/