“Mjedis i korruptuar”, “jo kompetentë” e “jo kredibilë” janë vetëm disa nga cilësimet që zyrtarët qeveritarë i kanë bërë Gjykatës Kushtetuese, autoritetit më të lartë për interpretimin e Kushtetutës dhe shqyrtimit gjyqësor të ligjeve lidhur me përputhjen e tyre me aktin më të lartë juridik të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Në fillim të vitit, zëvendëskryeministri dhe kreu i ekipit negociator të Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, duke folur për një media serbe, e sulmoi brutalisht Gjykatën Kushtetuese, e cila nga viti 2021 udhëhiqet nga Gresa Caka-Nimani.
“Gjykata jonë Kushtetuese është e njohur në prodhimin e dokumenteve/vendimeve kontroverse; dhe këtë e shohim në baza ditore sepse besojmë që atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti. Dhe ky s’është i vetmi vendim i kushtetues që s’ka mundur të gjejë zbatim”, tha Bislimi.
Për më tepër – ndonëse vendimet e kushtetueses duhet të pranohen dhe shihen si interpretimi final i kushtetuetshmërisë – Bislimi tha se “ne si Qeveri rezervojmë të drejtën e intepretimit”.
“Pra, kurdo që Qeveria beson se po i keqshërbejnë drejtësisë atëherë është e vështirë të veprojmë në pajtim me këso vendime. Është vështirë të veprojmë në bazë të tyre. Nuk është se po i mohojmë”, tha ai.
“Por, nëse puna ime, nëse premtimi im ndaj qytetarëve është që t’u jap drejtësi – kur e dimë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është produkt i një mjedisi të korruptuar – më e pakta që mund të bëjë është të them se ky vendim, në mendimin tim nuk është produkt i një institucioni kredibil”, ka vazhduar Bislimi.
Më keq s’e ka lënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka mbështetur kolegun e saj në Qeveri, duke thënë se “Gjykata Kushtetuese është fakt që po e pengon jetësimin e reformave, jo vetëm në Drejtësi por edhe në fushat e tjera”.
Ministrja ka kritikuar Kushtetuesen për vonesa në trajtimin e kërkesave, vonesa këto që Haxhiu thotë se po bëhen në kundërshtim me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese
“Mendoj që është fakt që një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformave, jo vetëm në Drejtësi, por edhe në fushat tjera, është Gjykata Kushtetuese. Pse po e them këtë. Sepse opozita po e konsideron si shpëtim. Në mënyrë që të mos jetësohen reformat qoftë në drejtësi, qoftë në aspektin ekonomik-financiar, mirëpo edhe ato në administratën publike”, ka thënë ajo.
“Fakti që Ligji për Gjykatën Kushtetuese thotë që Gjykata Kushtetuese për kërkesat që dërgohen nga ana e Kuvendit, duhet të trajtohen brenda 2 muajve, dhe nga ana tjetër në presim deri në një vit për një aktgjykim, kjo sigurisht përbën problem, sepse ka pasoja afatgjate. Sepse reformat që ne mund ti përfundonim para një viti, sepse Gjykata Kushtetuese s’i ka trajtuar me prioritet, ne jemi të detyruar të presim e të presim me muaj të tërë në kundërshtim me ligjin për Gjykatën Kushtetuese, një aktgjykim”, është shprehur Haxhiu.
“Unë kam folur shumë për Kushtetuesen. Prandaj s’kam çfarë të shtoj dhe nuk mendoj që duhet ta marrim dikë me të mirë për të na nxjerrë një vendim të mirë. Prandaj s’është qasje e duhur që ta marrim dikë me të mirë sepse na duhet një vendim i mirë”, ka thënë ajo.
Lidhur me këto deklarata të kohëpaskohëshme kanë reaguar edhe ambasadorët e akredituar në Kosovë.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog dhe ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Joern Rohde, kanë bërë thirrje që të ndalen sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Ambasadori Rohde ka shkruar në “X” se mbështet shqetësimet e kolegut të tij Szunyog, ku ky i fundit ka theksuar që Gjykata duhet të jetë e pavarur edhe e lirë nga ndikimi dhe presioni politik.
Ndryshe dje shefi i zyrës së BE-së, takoi kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.
“Për të mbështetur pavarësinë e gjyqësorit, është thelbësore që anëtarët e qeverisë të përmbahen nga deklaratat që rrezikojnë të cenojnë autoritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe besimin e publikut në të”, tha Szunyog dje.
Në qendër të takimit ishte edhe nevoja që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të respektohen dhe të zbatohen plotësisht, përfshirë edhe Aktgjykimin e datës 19 maj 2016 për rastin e Manastirit të Deçanit.
Kundërpërgjigje ndaj ndërkombëtarëve pati sot zëvendëskryeministri Bislimi, i cili ka argumentuar se “të njëjtit miq” thonë që të mos zbatohet neni 11 i Kushtetueses, i cili thotë se vetëm një monedhë qarkullon në Kosovë, pasi Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim që euro të jetë valuta e vetme në Kosovë, çka ka nxitur kritika nga ndërkombëtarët për “përjashtimin” e dinarit.
“Kur është fjala te neni 11 i Kushtetutës, që thotë ka vetëm një monedhë në qarkullim në Kosovë, të njëjtit miq na thonë ‘po këtë mos e zbatoni’. Kushtetuta, ose është e shenjtë, dhe duhet të zbatohet, ose pastaj bëjmë cherry picking [përzgjedhjen më të favorshme]. Nëse duhet të bëjmë cherry picking, po e bëjmë ne. Nëse duhet të zbatohet, atëherë insistoni që të zbatohet në të gjitha rastet”, ka thënë ai.
Sipas zëvendëskryeministrit, çdo deklarim i tij për sistemin e drejtësisë është certifikim i mosndërhyrjes në drejtësi. Ndërsa ka pyetur se a janë gjykatat e pavarura.
“I kam dy mundësi: ose flas me gjykatësit nëpër mekanizma paralel dhe ndikoj në vendimin e tyre, atëherë nuk kam nevojë të deklarohem publikisht se kam arritur qëllimin, kam ndërhyrë në drejtësi, ose në pamundësi të ndërhyrjes në drejtësi, deklaroj publikisht për brengat që kam. Çdo deklarim publik i imi për problemet me sistem të drejtësisë janë certifikim i mosndërhyrjes në drejtësi. Sepse tregojnë që kam pakënaqësi, dhe nuk kam zgjedhur rrugën e ndërhyrjes. Jo çdo brengë e dikujt që thotë mos ndërhyni në drejtësi, është rezultat i mosndërhyrjes. Pyetjet që duhet ta bëni: sa janë të pavarura gjykatat tona? Është e qartë që gjykatat janë të pavarura nga Qeveria, por a janë të pavarura? Nëse jo, nga kush varen, kush i ndikon vendimet që marrin gjykatat tona? Nëse unë kritikoj një vendim, sepse bash ai vendim nuk është i pavarur. Sepse do të doja që gjykatësi të vendosë në bazë të elementeve pa ndërhyrje nga jashtë, qoftë brenda apo jashtë Kosovës”, ka deklaruar Bislimi.