Përkundër që është mesi i shtatorit, “nxehtësia verbale” në emisionin “Pressing” të T7 mbrëmë mbërriti zenitin e tij. Dy analistë me emra të përveçëm Baton Haxhiu dhe Sadri Ramabaja ishin protagonistë të një përplasje që në arsenalin gjuhësor përfshinte terme si manipulues, primitive, e akuza për ironi banale e “gjuhë rurale” (çfarëdo që shënjon një term i tillë).
Më saktësisht, në debatin e tyre kishte akuza për “tradhti”, paralajmërime për dëbim nga studio dhe përmendje të Esat Pashës, ish-lider shqiptar që përgjithësisht në kujtesën historike shqiptare njihet si arketipi i tradhtarit të interesit shtetëror.
Në këtë debat, Ramabaja ofendoi mbi baza krahinore, duke e akuzuar Haxhiun se po fliste me “gjuhë rurale”. Përkundër që propagandon se është i majtë, Ramabaja fyu “proletariatin”.
Si nisi përplasja?
Në fakt, përplasja nisi pas një ironie të Haxhiut, i cili tentoi të shpjegonte kërkesat maksimaliste të VV-së, duke e karikaturizuar diskursin e Ramabajës, rrjedhimisht të VV-së. Një qasje e tillë e Haxhit, nuk i pëlqeu Ramabajës, i cili e mbrojti partinë e tij, duke e rikonfirmuar se është “100 për qind VV”.
Për shkak të ndërhyrjeve, Haxhiu i kërkoi Ramabajës të heshte, duke e paralajmëruar se do ta nxirrte jashtë nga emisioni.
“Shuj, kur unë t’qes prej studios, shumë keq, shuuumë keq.” – ishte paralajmërimi i Haxhiut, njeriut që e ka “ringjalljen” nga vdekja cilësi të përbashkët me Jezu Krishtin. Pra Haxhiu po e paralajmëronte se do të mund të eskalonte në dhunë fizike.
Por, Ramabaja nuk u ndal. Ai e quajti qasjen e Haxhiut si “ironi banale”, duke lënë të nënkuptohet se ironia e Haxhiut ia përdhosi “përvojën akademike”, të cilin togfjalësh e përmendi vet Ramabaja. Pasi e rithemeloi lidhjen me VV-në dhe ritheksoi “përvojën akademike”, Ramabaja e akuzoi
Me ironi banale deri në ekstrem sikur revolucionarët, ish të burgosurit, VV-ja flasin me këtë gjuhë rurale, të cilën ti e prezantove pak përpara, ndërkaq ne po pretendojmë të prezantojmë një opinion të pjekur, të maturuar, edhe në raport me ndërkombëtarët dhe jo të tipit vasal, për të cilin ti je angazhuar tërë jetën.” – i tha Ramabaja, Haxhiut.
Gjatë përplasjes mes dy burrave “gjaknxehtë”, moderatori i emisionit Leonard Kërquki tentoi të ndërhynte për t’i ulur gjakrat. Në fillim, përpjekja e Kërqukit ngjante si e sukseshme. Por qetësia që mbizotëroi për ca çaste ishte paralajmërim për një tufan verbal, që përfshiu edhe një akuzë të rëndë ndaj kryeministrit Albin Kurti.
“Ajo që mua më dhemb është që themelet lideri suprem i joni, Albin Kurti, të gjithë politikës së tij e ndërton mbi do historicizma, ose mbi disa liderë historikë Hasan Prishtina, Ukshin Hoti etj. Por asnjëri prej atyre elementeve, narracionit nuk ekziston as në ideologjinë as në frytet e tij politike” – deklaroi Haxhiu.
Në këtë moment, sërish ndërhyu njeriu me “përvojë akademike”, pra Ramabaja, i cili deklaroi se në politikën e Kurtit nuk ka “elemente të Esat Pashës”.
“Elemente të Esat Pashës nuk merr. As modelin e Esat Pashës nuk e merr” – deklaroi Ramabaja.
“Ai është më Esat Pashë se të gjithë të tjerët” – ia ktheu Haxhiu Ramabajës.
“Jo, ti je Esat Pashë” – ia riktheu me shpejtësi të dritës Ramabaja Haxhiut.