Botapress 19 Gusht – Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka mohuar se ka aplikuar për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me letërnjoftim të UNMIK-ut.
Rama ka deklaruar për Express se në KQZ ka aplikuar për certifikim me letërnjoftim të Republikës së Kosovës, të cilin e ka marrë në muajin qershor.
Ai tha se në KQZ ka ndodhur ndonjë gabim teknik.
“Nuk e di pse ka dalë ai lajm, unë letërnjoftimin e kam të Kosovës, janë numrat nga letërnjoftimi i Kosovës, me siguri kanë bërë ndonjë lëshim teknik”, deklaroi Rama.
Rama tha se ky lëshim i KQZ-së do të rregullohet deri të premten.
“Prej anës time çdo gjë është në rregull. Me siguri ky problem teknik do të rregullohet deri të premten”, ka deklaruar Rama.
Rama i ka dërguar Expressit edhe një fotografi të letërnjoftimit, të cilin e ka marrë në muajin qershor të këtij viti.