Kreu i Prishtinës, Perparim Rama, ka akuzuar përsëri Qeverinë Kurti se po ia bllokon me qëllim buxhetin e miratuar.
Sipas Ramës, ky s’është një vonim teknik apo problem administrativ. Kreu i kryeqytetit shprehet se është vendim politik për ta dobësuar Prishtinën.
“Prishtina nuk do të heshtë. Prishtina nuk do të frikësohet. Dhe Prishtina nuk do të ndalet”, ka shkruar Rama.
Postimi i plotë:
Sot po flas jo vetëm si Kryetar i Prishtinës, por si përfaqësues i mbi 300 mijë qytetarëve që po penalizohen padrejtësisht.
Qeveria e re e Kosovës po bllokon qëllimisht buxhetin e miratuar të Kryeqytetit. Ky nuk është vonim teknik. Nuk është keqkuptim administrativ. Është vendim politik për ta dobësuar Prishtinën.
Buxheti i Kryeqytetit është votuar sipas ligjit. Është dokument zyrtar i Republikës së Kosovës. Çdo ndërhyrje për ta anashkaluar apo për ta sabotuar atë është shkelje e drejtpërdrejtë e rendit institucional.
Le ta them qartë: kur ndalet buxheti i Prishtinës, ndalet ndërtimi i shkollave, ndalet përmirësimi i infrastrukturës, ndalet investimi në çerdhe, ndalet zhvillimi ekonomik. Kjo nuk është luftë ndaj Kryetarit. Kjo është ndëshkim kolektiv ndaj qytetarëve.
Prishtina nuk është pronë e asnjë partie. Prishtina është Kryeqyteti i Republikës. Nëse Qeveria mendon se mund ta përdorë si mjet presioni politik, atëherë po gabon rëndë.
Nuk do ta lejoj që Kryeqyteti të trajtohet si kundërshtar. Nuk do ta lejoj që qytetarët e Prishtinës të paguajnë çmimin e kalkulimeve politike.
Nëse Qeveria vazhdon me këtë qasje, ne do të ndjekim çdo rrugë ligjore dhe institucionale për ta mbrojtur të drejtën tonë. Do ta bëjmë këtë publikisht, hapur dhe pa kompromis.
Kjo nuk është çështje personale. Kjo është çështje dinjiteti institucional dhe respekti ndaj qytetarëve.
Prishtina nuk do të heshtë. Prishtina nuk do të frikësohet. Dhe Prishtina nuk do të ndalet.
Faleminderit.



Të tjera
Aktuale
Presidenca dërgon komentet në Kushtetuese në mbrojtje të Dekretit për shpërndarje të Kuvendit
Zëdhënësi i Presidencës, Bekim Kupina, ka
Lajme
Kuvendi “i ngrirë” nga Kushtetuesja, Zulfaj akuzon opozitën për bllokadë
Këshilltari i kryeministri Albin Kurti, Jeton
Lajme Showbiz
Kanosje dhe armë ilegale, Prokuroria kërkon caktimin e masës së paraburgimit për Gjestin
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar