Ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor në rastin ku Xhelal Berisha dhe Arben Berisha kanë paditur ish-presidenten Atifete Jahjaga për shpifje dhe fyerje për çka nga e njëjta po kërkojnë 30 mijë euro.
Jahjaga është paditur nga vëllezërit Berisha për shpifje, pasi që kishte deklaruar se e mbijetuara e masakrës së kësaj familje, Shyhrete Berisha, “është nxjerrë zvarrë nga shtëpia, ku kishte jetuar me burrin dhe fëmijët e saj”.
Në këtë seancë ka prezantuar përfaqësuesja e paditësve, avokatja Shpresa Berisha-Rexhepi dhe përfaqësuesja e paditëses Jahjaga, avokatja Gerta Ragipi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokatja Ragipi ka propozuar një provë të re lidhur më një reportazh nga KTV, “Shyrete Berishës i ofrohet banesë ose para për shtëpinë që kërkon”, që pasi të dëgjohet do të vërtetoj bazën e deklaratës të së paditurës Jahjaga.
Ky propozim është kundërshtuar nga avokatja Berisha-Rexhepi, me arsyetimin se palë në këtë procedurë është e paditura Jahjaga e jo Shyrete Berisha.
E njëjta ka propozuar që të detyrohet e paditura Jahjaga që ta dorëzoj në cilësi të provës, fjalimin e dhënë nga vetë ajo nga konferenca e 20 marsit 2017, e po ashtu ka propozuar edhe që në këtë shqyrtim gjyqësor e njëjta të dëgjohet në cilësi të palës.
Ragipi e ka kundërshtuar propozimin e tillë për sjelljen e fjalimit të të paditurës, për shkak se artikulli i lartcekur është kontestuar tashmë nga ana e paditësve me padi.
Gjykatësi Dren Rogova e ka refuzuar propozimin e avokates Berisha-Rexhepi për nxjerrjen e sjelljen e fjalimit të të paditurës dhe për dëgjimin e të njëjtës në cilësi të palës.
Ndërsa Rogova e ka pranuar propozimin për provën e re nga ana e avokates Ragipi, të cilën gjykata e ka administruar në procedurën e provave., ku është dëgjuar dhe shikuar reportazhi televiziv nga KTV i 3 dhjetorit 2014, i cili gjendet në platrofmën Youtube, “Shyrete Berishës i ofrohet banesë ose para për shtëpinë që kërkon”.
Avokatja Berisha-Rexhepi e ka dorëzuar në këtë seancë fjalën përfundimtare më shkrim, ndërsa avokatja Ragipi do ta dorëzoj fjalën përfundimtare në afat prej tre ditësh, çka është aprovuar edhe nga gjykatësi Rogova.
Shqyrtimi gjyqësor për këtë çështje kontestimore ka përfunduar.
Ndërsa, sipas precizimit të padisë së 20 majit 2022, në aspektin objektiv, Xhelal dhe Arben Berisha kanë paditur ish presidenten Atifte Jahjaga për shpifje dhe fyerje duke thënë se është e pamundur të caktohet vlera monetare nga ana e të njëjtëve ndërsa në mungesë të ekspertizës përkatëse të caktohet nga gjykata.
Sipas precizimit të padisë thuhet se paditësit kërkojnë nga gjykata të vërtetohet përgjegjësia civile për shpifje dhe fyerje.
Po ashtu, sipas precizimit të padisë, është kërkuar që të detyrohet Jahjaga që në emër të dëmit jo material paditësit Xhelal Berisha t’ia paguaj shumën e përgjithshme prej 20,000.00 euro dhe ndërsa për paditësin Arben Berisha ti’a paguaj 10,000.00 euro, me kamatë sipas dispozitave të LMD-së, po ashtu shpenzime e procedurës.
Ndryshe, sipas padisë së 13 shtatorit 2017, paditësit Xhelal Berisha dhe Arben Berisha kanë paditur për shpifje dhe fyerje ish-presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në padi thuhet se Jahjaga gjatë javës së gruas në fjalimin e saj më 20 mars 2017 ka përmendur Shyrete Berishën – gruaja e vëllau të ndjerë e të paditurit Xhelal Berisha, si shembull se kinse të njëjtës i janë shkelur të drejtat nga ana e ish familjes së burrit të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.
Gjithashtu, sipas padisë, thuhet se Jahjaga gjatë fjalimit të lartcekur ka deklaruar: ”Si mundemi ne, respektuesit e kuotës së 30%-shit, promovuesit dhe avokuesit për të drejtat e gruas, të lejojmë që për një grua të hiqet nga shtëpia e saj ku me vite ka grumbulluar kujtimet e më të dashurve të saj që lufta – lufta për lirinë tonë- ia mori padrejtësisht”.
Tutje, sipas padisë, e paditura ka thënë se: “Shyrete Berisha ishte heqë zvarrë nga shtëpia e saj” dhe “është duke iu mohuar e drejta mbi pronën, bashkëndërtuese e së cilës ishte”.Kështu duke shkaktuar dëm jomaterial në shkallë të madhe duke cenuar rëndë integritetin, dinjitetin dhe statusin shoqëror të familjes Berisha.
Lidhur me këtë në padi thuhet se Jahjaga ka paraqitur të pavërteta tjera, “Dyshoj që ta ketë menduar edhe ajo që një ditë dyert e shtëpisë ku kishte nisur e krijuar familjen deri në ato momente të kobshme që e kishin privuar nga ajo lumturi, do t’i mbyllen në emër të normave të burrnisë, të tradhtisë”.
Mbi këtë bazë, paditësit Berisha po kërkojnë të detyrohet e paditura Jahjaga që paditësve në emër të kompensimit të dëmit jomaterial dhe material të shkaktuar për shkak të shpifjes t’ua paguaj shumën prej 250,000.00 euro si dhe kamatën, si dhe shpenzimet e procedurës.
Ndërsa, sipas përgjigjes në padi të 2 nëntorit 2017, e paditura Jahjaga, askund në fjalimin e saj nuk i refefohet paditësve dhe se e njëjta i referohet vetë fjalëve të Znj. Berisha të thëna publikisht. Po ashtu vërtetohet se padia e paditësve nuk është e bazuar në ligj dhe është bërë për arsye të përfitimit të padrejtë.
Mbi këtë bazë e paditura kërkon përmes përgjigjes në padi që të hudhet poshtë kërkesëpadia e paditësve Berisha si e pabaze dhe që të nijetit t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës./Botapress.info/